Detaje të reja zbulohen nga seanca e gjatë ndaj Izet Haxhisë, i cili akuzohet për vrasjen e ish-deputetit të PD, Azem Hajdari, dhe për këtë Prokuroria e Tiranës kërkoi sot dënimin me 25 vite burgim.
Sipas organit të akuzës, i pandehuri ka pasur rol kryesor në vrasjen e ish deputetit demokrat, Azem Hajdari, me 12 shtator 1998, pak metra larg selisë së Partisë Demokratike. Përgjatë 3 orëve e 30 minuta, prokuroria rindërtoi skemën e krimit që tronditi vendit rreth 24 vjet më parë.
Prokuroria arsyetoi se bazuar në mënyrën sesi janë zhvilluar ngjarjet, ka prova për të provuar fajësinë në krim të ish truprojës së Berishës. Vetë Izet Haxhia nuk e dëgjoi pretencën e prokurorit, pasi në mënyrë demostrative braktisi seancën, pasi në nisje të saj, gjykata rrëzoi kërkesën për riçelje të shqyrtimit gjyqësore
Haxhia po gjykohet për të dytën herë nga drejtësia shqiptare për përfshirje në vrasjen e Hajdarit. Herën e parë ai u dënua në mungesë për tu arrestuar vite më vonë në Turqi. Izet Haxhia vendosi të vinte vullnetarisht në Shqipëri dhe gjykatat shqiptare i dhanë mundësinë e rigjykimit, përderisa ky ishte një nga kushtet e përcaktuara nga drejtësia turke nëse do të ekstradohej në vendin tonë.
Prej dy vitesh ai përballet me gjykatën e Tiranës dhe procesi ndaj tij tashmë është drejt fundit. Në seancën e datës 21 janar, avokati pritet të paraqesë konkluzionet e mbrojtjes.