Për “stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë”, “Në emër të Noes”, i gazetarit të ndjerë Fatos Baxhaku, u shpall libri më i mirë i edicionit të 23-të të Panairit të Librit, që këtë vit u zhvillua në kushte të pazakonta.
Edhe pse Panairi i përvitshëm, i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, për shkak të pandemisë Covid-19 u zhvillua segmentar, përmes një platforme online dhe “pavijone” të shpërndara nëpër Tiranë, nuk mund të mungonte tradita e ndarjes së çmimeve.
Në ceremoninë e zhvilluar dje u shpallën fituesit e këtij edicioni. Çmimi për librin më të mirë iu dha gazetarit Fatos Baxhaku, pas vdekjes për librin e tij testament, që u botua pak kohë pas ndarjes së tij nga jeta, nga shtëpia botuese “Papirus”. Në emër të Fatosit, çmimin e mori i vëllai, Artur Baxhaku, i cili bashkë me të bijën e gazetarit dhe botuesin Benet Koleka çuan deri në fund librin e pambaruar “Në emër të Noes”. Mes emocionit dhe mallit, ai ndau disa kujtime nga panairet e shkuara me të vëllanë. “Kthehesha nga panairi dhe zbrazja çantat me libra dhe pastaj diskutonim e shijonim së bashku. U desh të jepej ky çmim që të kthehesha në panair”, u shpreh ai.
Agim Doksani u shpall përkthyesi më i mirë për këtë vit, ndërsa Primo Shllaku përkthyesi më i mirë i letërsisë frënge. “Këtë çmim ua kushtoj të gjithë përkthyesve, veçanërisht atyre italianë, që kanë dhënë një kontribut të palodhur për sjelljen sa më bukur në shqip të kësaj letërsie”, tha Doksani. “Zakonisht, njerëzit në moshën time i bëjnë llogaritë me të përtejmen dhe jo me fitimin e çmimeve. Kam dit me prit mirë dhe do të pres prapë”, tha Shllaku.
Çmimi i letërsisë për fëmijë shkoi për shkrimtaren Adelina Mamaqi, e cila u shpreh se “Letërsia për fëmijë duhet quajtur pjesë integrale e letërsisë për të rritur”. Në këtë edicion, Panairit të Librit iu shtua edhe një çmim i veçantë, çmimi i lexuesit më të mirë të bibliotekës, që iu dorëzua nëntëvjeçarit Jamarber Hoxha, për dashurinë që ka për librin