Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se Policia e Shtetit e ka të pamundur të kontrollojë të gjithë qytetarët e infektuar me koronavirus që nuk zbatojnë rregullat e karantinimit.Gjatë një takimi me strukturat e policisë në Durrës, Lleshaj kërkon nga qytetarët të denoncojnë rastet.
Ministri Lleshaj: Sigurisht që shifrat tashmë janë ato që njihni, pra shifrat e personave të prekur janë të mëdha dhe monitorimi fizik i tyre nuk është një çështje aq e thjeshtë.
Ne po punojmë, në bashkërendim të Policisë së Shtetit me strukturat e pushtetit vendor, për të arritur të bëjmë të mundur monitorimin e tyre dhe për të mundësuar edhe aplikimin e sanksioneve të domosdoshme.
Gjej rastin t’i bëj thirrje kujtdo që konstaton persona të infektuar, që janë në nivelin e papërgjegjshmërisë dhe dalin në mjedise publike, të kontaktojë Policinë e Shtetit, sepse ky është një rrezik jetik për qytetarët e tjerë.
Ftoj këdo që ka informacion, edhe median, që jo vetëm të ngrenë çështjen në tërësinë e saj, por edhe ta ngrenë çështjen në nivelin individual, përmes denoncimit pranë Policisë së Shtetit, në mënyrë që t’i parandalojmë personat e papërgjegjshëm për t’u bërë rrezik publik.