Ndërsa varianti Omicron i Covid-19 vazhdon të përhapet, duke shkaktuar numër rekord të infeksioneve dhe shtrimeve në spital, mitet e reja të koronavirusit vazhdojnë të shpërthejnë.
Varianti ka qenë objekt i një shqyrtimi të vazhdueshëm shkencor që kur u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut në fund të nëntorit. Studimet e fundit kanë zbuluar pikat e forta dhe të dobëta të tij: Është katër herë më i transmetueshëm se varianti Delta, shkakton simptoma fizike më pak të rënda se variantet e mëparshme dhe përforcuesit e Covid-it rrisin ndjeshëm mbrojtjen tuaj kundër tij.
Në total, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka mbledhur të dhëna nga më shumë se 5800 studime rreth Covid-19 nga e gjithë bota. Por, pavarësisht të dhënave, të pavërtetat pandemike ende qarkullojnë dhe Omicron duket se u ka dhënë jetë disa prej tyre. CNBC Make It pyeti tre ekspertët kryesorë të sëmundjeve infektive për keqkuptimet më të mëdha të Covid-it që po dëgjojnë tani. Ja çfarë thanë ata:
Miti 1: Vaksinat nuk funksionojnë, sepse njerëzit e vaksinuar po infektohen me Omicron
Është e vërtetë që njerëzit e vaksinuar mund të infektohen me Omicron: Një regjim me dy doza të vaksinës Covid të Pfizer siguron vetëm 22.5% mbrojtje kundër infeksionit simptomatik nga Omicron, sipas një studimi të hershëm nga Afrika e Jugut bërë muajin e kaluar. Por, më e rëndësishmja, vaksinimi ndihmon në mbajtjen e simptomave tuaja të buta nëse sëmureni, duke reduktuar shanset për shtrimin në spital ose vdekjen. Dhe nëse shtoni një vaksinë përforcuese, mbrojtja juaj kundër infeksionit simptomatik rritet ndjeshëm në 75%, sipas të dhënave nga MB.
“Vaksina funksionon dhe kjo është treguar qartë si nga shkalla e vdekjeve, ashtu edhe nga shkalla e shtrimit në spital kur krahasohen njerëzit e vaksinuar me ata të pavaksinuar”,- thotë Dr. Mark Sawyer, një specialist i sëmundjeve infektive në Spitalin e Fëmijëve Rady, i cili shërbeu në Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-ve.
Sipas të dhënave të përpiluara nga ‘Time’, personat e pavaksinuar përbëjnë një përqindje të madhe të pacientëve me Covid të shtruar në spital në shtete si Karolina e Jugut, Montana dhe Misisipi. Dhe të dhënat e fundit nga shteti i New York zbuluan se banorët e pavaksinuar kishin një rrezik 13 herë më të lartë për shtrimin në spital sesa banorët e vaksinuar në mes të rritjes së Omicron në fund të dhjetorit.
Kjo për shkak se vaksinat e nxisin trupin tuaj të prodhojë një arsenal të qelizave imune që luftojnë Covid-in që punojnë së bashku për të mbrojtur nga virusi. Antitrupat, të cilët ju ndihmojnë të mos sëmureni, janë vetëm linja e parë e mbrojtjes: nëse infektoheni, qelizat T të induktuara nga vaksina synojnë dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara nga virusi për t’i bërë simptomat tuaja më pak të rënda.
Dr. David Hirschwerk, një specialist i sëmundjeve infektive dhe drejtor mjekësor në Spitalin Universitar Northwell Health’s North Shore, thotë se ai vazhdimisht u kujton njerëzve se “vlera e vaksinës” shtrihet në reduktimin e sëmundjeve të rënda dhe shtrimeve në spital.
Miti 2: Infeksionet Omicron janë shumë të lehta për të qenë të rrezikshme
Dr. Shaun Truelove, një epidemiolog i sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg, thotë se ai ka parë shumë portretizime të Omicron si “super i butë” dhe “si gripi dhe i ftohti”.
Simptomat fizike të Omicron ndonjëherë mund t’i ngjajnë gripit ose ftohjes së zakonshme, por, shkalla e transmetimit të tij është shumë më e lartë. Është më i transmetueshëm dhe më i mirë në shmangien e antitrupave ekzistues sesa variantet e mëparshme të Covid. Me fjalë të tjera, thotë Truelove, Omicron është shumë më i rëndë se i ftohti ose gripi. Kjo është arsyeja që spitalet në të gjithë vendin kanë kaluar në modalitetin e urgjencës javët e fundit, duke deklaruar se janë me kapacitet të plotë.
Për më tepër, Omicron është ende një formë e Covid. Nëse infektoheni, edhe nëse simptomat tuaja janë të lehta, ju ende po i mundësoni virusit të vazhdojë të qarkullojë dhe sa më shumë të përhapet Covid, veçanërisht në popullatat e pavaksinuara, aq më shumë shanse ka që ai të ndryshojë potencialisht në një variant tjetër të rrezikshëm.
Miti 3: Ka ende shumë të panjohura për sigurinë afatgjatë të vaksinës Covid
Ka kaluar më shumë se një vit që nga administrimi i vaksinës së parë kundër Covid në SHBA. Që atëherë, gati 250 milionë njerëz në të gjithë vendin kanë marrë të paktën një dozë vaksine, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Megjithatë, Sawyer thotë se pjesa më e madhe e popullsisë së pavaksinuar të vendit është ende e shqetësuar për “atë që mund të mos dimë për këto vaksina”, veçanërisht për sa i përket sigurisë afatgjatë. “Ne kemi dhënë qindra miliona doza të këtyre vaksinave, duke përfshirë fëmijët e vegjël, 5 deri në 11,” thotë Sawyer. “Pra, nëse do të kishte ndonjë efekt anësor misterioz do të shfaqej, ne do ta shihnim deri tani dhe do të dinim për të.”
Efektet anësore afatgjata të vaksinës janë jashtëzakonisht të rralla. Për shembull, vaksina me një injeksion e J&J mbart një rrezik shumë të vogël të “trombozës me sindromën e trombocitopenisë”, një çrregullim i rëndë i koagulimit të gjakut. Vaksinat mRNA të Pfizer dhe Moderna mund të rrisin rrezikun e miokarditit, një gjendje inflamacioni i zemrës, te meshkujt nën moshën 29 vjeç, por ato raste shpesh janë të lehta, zakonisht zgjidhen vetë. Për Sawyer, përfitimet e vaksinës tejkalojnë shumë rreziqet e saj.
Burimi: CNBC