Forca të shumta policie kanë rrethuar mëngjesin e sotëm zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë pasi disa qytetarë po protestojnë kundër prishjes së banesave të tyre. Siç shihet dhe në pamjet e siguruara nga Report Tv, banorët e zonës i kanë zënë rrugën fadromave të IKMT-së për të bllokuar procesin e shembjeve në kuadër të procesit të rindërtimit.
Burimë bëjnë me dije se disa prej banorëve janë shoqëruar nga policia pasi kundërshtuan shembjen e shtëpive. Disa banorë kanë kundërshtuar shembjen e banesave, pasi nuk janë dakordësuar me marrëveshjen me bashkinë, të cilën e cilësojnë të njëanshme. Banorët ishin lajmëruar për prishjen e objekteve, ndërsa sot ishte afati i fundit që ato të lironin banesat.
Banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.
Nga ana tjetër, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.
Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë.
“Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje”, thuhet në vendimin e qeverisë.