Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë një paralajmërim për liderët botërorë se pandemia e koronavirusit nuk është afër fundit.
Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi kundër supozimit se varianti i ri dominues i Omicron është dukshëm më i butë dhe ka eliminuar kërcënimin e paraqitur nga virusi. Deklarata vjen pasi disa vende evropiane shënuan numra rekord të rasteve. Franca raportoi gati gjysmë milioni raste të reja ditore të martën. Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 100,000 infeksione të reja u regjistruan në Gjermani brenda 24 orëve të mërkurën.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Dr Tedros u tha gazetarëve se varianti Omicron kishte çuar në 18 milionë infeksione të reja në të gjithë botën gjatë javës së kaluar.
“Mos bëni gabim, Omicron po shkakton shtrime në spital dhe vdekje, madje edhe rastet më pak të rënda po përmbytin objektet shëndetësore,” -tha Dr Tedros.
Ai paralajmëroi udhëheqësit globalë se “me rritjen e pabesueshme të Omicron në nivel global, ka të ngjarë të shfaqen variante të reja dhe se kjo është arsyeja pse gjurmimi dhe vlerësimi mbeten kritike”. “Unë mbetem veçanërisht i shqetësuar për shumë vende që kanë shkallë të ulët të vaksinimit, pasi njerëzit janë shumë herë më të rrezikuar nga sëmundje të rënda dhe vdekje nëse nuk janë të vaksinuar,” shtoi ai.
Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Dr Mike Ryan, paralajmëroi gjithashtu se transmetimi më i madh i Omicron ka të ngjarë të shkaktojë një rritje të shtrimeve në spital dhe vdekjeve, veçanërisht në vendet ku vaksinohen më pak njerëz.