Nuk ka “asnjë provë deri më tani” që tregon se fëmijët dhe adoleshentët e shëndetshëm kanë nevojë për doza përforcuese për të plotësuar vaksinimin e tyre kundër Covid-19, tha të martën shefi i shkencëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr. Soumya Swaminathan.
Swaminathan tha se grupi këshillues i agjencisë, i quajtur si Grupi Këshillimor Strategjik i Ekspertëve për Imunizimin, do të takohet gjatë kësaj jave për të shqyrtuar mënyrën se si vendet duhet ta trajtojnë ?ështjen e aplikimit të dozave përforcuese.
“Qëllimi është të mbrojmë grupet më vulnerabël, ata njerëz që kanë rrezikun më të lartë për t’u sëmurë rëndë dhe për të humbur jetën Këtu përfshihen: popullata e moshuar, personat me imunitet të kompromentuar që kanë sëmundje dytësore dhe, gjithashtu, punonjësit e kujdesit shëndetësor”, tha Swaminathan në konferencën për shtyp të OBSH-së.
Dr. Michael Ryan, drejtuesi ekzekutiv i programit të urgjencave shëndetësore në OBSH, tha se agjencia ende nuk e kishte të qartë se sa shpesh ose sa doza duhet të aplikohen te njerëzit.
“Mendoj se njerëzit kanë frikë se dozat përforcuese do të nevojitet çdo dy ose tre muaj dhe të gjithë pa përjashtim do të duhet të shkojnë dhe të marrin një dozë përforcuese. Mendoj se akoma nuk kemi një përgjigje për këtë,” tha Ryan.
Ai tha se mund të vijë momenti që shkencëtarët të përcaktojnë saktësisht se sa doza nevojiten në serinë fillestare të vaksinave Covid. Shumica e njerëzve të shëndetshëm mund të kenë nevojë për vetëm dy doza, ndërsa të moshuarit ose personat me imunitet të kompromentuar mund të kenë nevojë për tre ose katër.
Komentet e Swaminathan dhe të Ryan vijnë afërsisht dy javë pasi Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve miratuan vaksinat përforcuese për adoleshentët e moshës 12 deri në 17 vjeç, në rrethanat ku rastet aktuale të koronavirusit janë rritur ndjeshëm për shkak të variantit shumë ngjitës, Omicron.
Rritja e infektimeve ka çuar gjithashtu në një shtim të madh të rasteve pediatrike. Për javën e parë të janarit, u raportuan më shumë se 580,000 raste të fëmijëve me koronavirus, duke shënuar një rritje me 78% nga java e fundit e dhjetorit, sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga Akademia Amerikane e Pediatrisë./ CNBC