Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak para mesnatës në qytetin e Kuçovës në fshatin Kozare. Një grua 63-vjeçare e identifikuar si Fatime Suli është gjendur afër një plantacioni me sera pa shenja jete, e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbular me gjethe e rrozga domatesh. Mësohet se familjarët kishin disa orë që e kërkonin dhe kishin kërkuar më pas ndihmën e policisë. Gruaja është gjetur pas rreth 1-orë kërkimesh nga policia, në një kanal rreth 1 km larg banesës saj në lagjen ‘Havaleas.
Burime nga vendngjarja konfirmojnë se gruaja vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe zihej e konfliktohej me banorët e zonës. Viktima Fatime Suli është transportuar drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pritet edhe kryerja e autopsisë mjeko-ligjore, që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së saj. Ky dyshim pritet të zbardhet pas autopsisë mbi trupin e saj.
Fetah Narra, 58 vjeç dyshohet se është autori i vrasjes së 63-vjeçares Fatime Suli në fshatin Kozare të Kuçovës. Narra është komshi i viktimës, ndërsa sipas ekspertizës mjeko-ligjore ai e ka mbytur me duar 63-vjeçaren. Autori i arrestuar është duke dhënë dëshminë e tij në polici, ndërkohë që burime të brendshme policore konfirmojnë se vrasja ka ndodhur pas një konflikti për disa para borxh, që komshiu i kishte familjes së gruas.