Luiza Gega e ka nisur vitin 2022 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar një tjetër rezultat të shkëlqyer.
Gega ka marrë pjesë ditën e shtunë në garën e 3000 metrave në salla të mbyllura në “Manchester World Indoor Tour” në Angli, një nga etapat kualifikuese për pjesëmarrjen në Botëror dhe ia ka dalë të arrijë normën që ishte fokusi i saj në këtë aktivitet. Me kohën 8:47.53, Luiza Gega u rendit në vendin e dytë në eventin e zhvilluar në Angli, ndërsa ky rezultat bën që atletja kuqezi të sigurojë me normë një biletë për Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura që zhvillohet muajt e ardhshëm në Beograd.
Siç dihet, norma e Botërorit të sallave të mbyllura është 8:49.00, ndërsa Gega është e vetmja përfaqësuese e atletikës shqiptare që shënon një rezultat brenda normave të Botërorit. Për sa i përket garës së zhvilluar në Mançester, në kilometrin e parë ajo ishte shumë e ngadaltë nga të gjitha garueset, por më pas Luiza Gegës iu desh që ta merrte vetë ritmin për të shënuar një kohë shumë të mirë në fund.
Kështu, Gega e nisi mjaft mirë sezonin e ri, ndërsa më 4 shkurt do të ketë garën e radhës, në Miramas të Francës, ku do të tentojë edhe të thyejë rekordin kombëtar në këtë disiplinë.
Kujtojmë se në vitin që lamë pas, Gega shënoi edhe rezultatin më të lartë në histori të atletikës shqiptare në Lojërat Olimpike, kur për herë të parë vendi ynë u përfaqësua në finalen e Olimpiadës, në evenimentin më madhor të sportit që u mbajt verën e kaluar në Tokio.