Podcast, audio chat, media shoqërore, reportazh. Në Mesazhin për Ditën e 56-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që u bë i njohur me 24 janar, Papa Françesku flet për format e reja të informacionit aktual, por i fton gazetarët dhe komunikatorët të shkojnë më thellë e të kapin thelbin e asaj që tregohet, botohet apo regjistrohet. Ky veprim është i mundur vetëm përmes “dëgjimit”, që nuk do të thotë “përgjim a spiunim” e aq më pak “të flasësh sa për të folur”, siç ndodh shpesh në debatin publik, por “të dëgjosh vetveten, nevojat më të vërteta, të shkruara në intimitetin e çdo njeriu”. Është edhe mënyrë për të kapërcyer pengesat dhe paragjykimet, si ato për migrantët, të cilët nuk janë “numra”, ose “pushtues të rrezikshëm”. Gjithashtu, shërben për të kuptuar “shqetësimin shoqëror” të ushqyer nga pandemia.
MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR DITËN E 56-të BOTËRORE TË KOMUNIKIMEVE SHOQËRORE:
Të dëgjojmë me veshët e zemrës
Të dashur vëllezër dhe motra!
Vitin e kaluar kemi reflektuar mbi nevojën për të “shkuar e parë” për të zbuluar realitetin dhe për ta treguar atë duke u nisur nga përvoja e ngjarjeve dhe nga takimet me njerëzit. Duke vazhduar në këtë linjë, tani dëshiroj ta përqendroj vëmendjen në një folje tjetër, “dëgjoj”, e cila është përcaktuese në gramatikën e komunikimit dhe kusht i një dialogu autentik.
Në të vërtetë, ne jemi duke e humbur aftësinë për ta dëgjuar atë që kemi përballë, si në rrjedhën normale të marrëdhënieve të përditshme, ashtu edhe në debatet mbi çështjet më të rëndësishme të jetës civile. Në të njëjtën kohë, dëgjimi po përjeton një zhvillim të ri të rëndësishëm në fushën e komunikimit dhe informimit, përmes ofertave të ndryshme të podkast-eve dhe chat audio-ve, duke konfirmuar se dëgjimi mbetet thelbësor për komunikimin njerëzor.
Një mjek i shquar, i mësuar të shërojë plagët e shpirtit, u pyet se cila është nevoja më e madhe e qenieve njerëzore. Ai u përgjigj: “Dëshira e pakufishme për t’u dëgjuar”. Një dëshirë që shpesh mbetet e fshehur, por që interpelon këdo që është i thirrur për të qenë edukues ose formues, ose që në çdo rast luan rolin e komunikuesit: prindërit dhe mësuesit, barinjtë dhe operatorët baritorë, punonjësit e informacionit dhe ata që ofrojnë një shërbim social apo politik.
Të dëgjojmë me veshët e zemrës
Nga faqet biblike mësojmë se dëgjimi nuk ka vetëm kuptimin e një perceptimi akustik, por në thelb është i lidhur me marrëdhënien dialoguese midis Hyjit dhe njerëzimit. «Shema’ Israel – Dëgjo, Izrael» (Lp 6,4), fjalët hyrëse të urdhërimit të parë të Torah-së, parashtrohen vazhdimisht në Bibël, deri në atë pikë sa shën Pali do të pohojë se «besimi vjen nga dëgjimi» ( Rom 10,17). Njëmend, nisma është e Hyjit që na flet, të cilit ne i përgjigjemi duke e dëgjuar; dhe ky dëgjim gjithashtu, në fund të fundit, vjen nga hiri i tij, siç ndodh me të porsalindurin që i përgjigjet shikimit dhe zërit të nënës dhe babait të tij. Ndër pesë shqisat, më e privilegjuara nga Hyji duket se është pikërisht ajo e dëgjimit, ndoshta sepse është më pak invazive, më e rezervuar se shikimi, dhe për këtë arsye e lë qenien njerëzore më të lirë.
Dëgjimi përkon me stilin e përvujtë të Hyjit. Është ai veprim që ia lejon Hyjit të shfaqet si Ai që, duke folur, e krijon njeriun sipas shëmbëllesës së tij dhe duke e dëgjuar e njeh atë si bashkëbiseduesin e vet. Hyji e do njeriun: prandaj ia drejton Fjalën, prandaj “ia vë veshin” për ta dëgjuar.
Njeriu, përkundrazi, priret të ikë nga marrëdhënia, të kthejë shpinën dhe të “mbyllë veshët” që të mos ketë nevojë të dëgjojë. Refuzimi për të dëgjuar shpeshherë kthehet në agresivitet ndaj tjetrit, siç ndodhi me dëgjuesit e Shtjefnit diakon, të cilët, duke i mbyllur veshët, u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij (krh. Vap 7,57).
Nga njëra anë, pra, është Hyji që zbulohet gjithmonë duke komunikuar nga vetja dhuratisht, nga ana tjetër njeriu të cilit i kërkohet që të sintonizohet, të vihet në dëgjim. Zoti e thërret në mënyrë të hapur njeriun në një besëlidhje dashurie, në mënyrë që ai të mund të bëhet plotësisht sikurse është: shëmbëllesë dhe përngjasim i Hyjit në aftësinë e tij për të dëgjuar, për të mirëpritur, për t’i dhënë tjetrit hapësirë. Në fund të fundit, dëgjimi është një dimension i dashurisë.
Për këtë arsye Jezusi i thërret dishepujt e tij për të verifikuar cilësinë e dëgjimit të tyre. «Prandaj kini kujdes si dëgjoni» (Lk 8,18): kështu i këshillon pasi ka treguar shëmbëlltyrën e mbjellësit, duke lënë të kuptohet se nuk mjafton të dëgjosh; dëgjimi duhet bërë si duhet. Vetëm ata që e pranojnë Fjalën me një zemër “të bukur dhe të mirë” dhe e ruajnë atë me besnikëri, japin fryte të jetës dhe të shpëtimit (krh. Lk 8,15). Vetëm duke i kushtuar vëmendje atij që dëgjojmë, çfarë dëgjojmë, si dëgjojmë, mund të rritemi në artin e komunikimit, qendra e të cilit nuk është një teori apo një teknikë, por «kapaciteti i zemrës që e bën të mundur afërsinë». (Nxit. ap. Evangelii gaudium, 171).
Të gjithë kemi veshë, por shumë herë edhe ata që kanë dëgjim të përsosur nuk arrijnë që ta dëgjojnë tjetrin. Në fakt ekziston një shurdhim i brendshëm, më i keq se ai fizik. Dëgjimi, në të vërtetë, nuk ka të bëjë vetëm me shqisën e dëgjimit, por me krejt personin. Selia e vërtetë e dëgjimit është zemra. Mbreti Solomon, ndonëse shumë i ri, u tregua i urtë sepse i kërkoi Zotit që t’i jepte «një zemër që dëgjon» (1 Mbr 3,9). Shën Augustini ftonte për një dëgjim me zemër (corde audire), për të pranuar fjalët jo së jashtmi në veshë, por shpirtërisht në zemra: «Mos e kini zemrën në veshë, por veshët në zemër». [1] Shën Françesku i Asizit i nxiste vëllezërit e tij që të «priernin veshët e zemrës». [2]
Prandaj, dëgjimi i parë për t’u rizbuluar, kur kërkohet një komunikim i vërtetë, është dëgjimi i vetvetes, i nevojave përkatëse më të vërteta, i atyre të gdhendura në thellësitë e çdo personi. Ne nuk mund të fillojmë ndryshe përveçse duke dëgjuar atë që na bën unikë në krijim: dëshirën për të qenë në marrëdhënie me të tjerët dhe me Tjetrin. Nuk jemi bërë për të jetuar si atome, por së bashku.
Dëgjimi si kusht i komunikimit të mirë
Ekziston një përdorim i dëgjimit që nuk është dëgjim i vërtetë, por e kundërta e tij: përgjim. Në të vërtetë, sot, në kohën e rrjeteve sociale duket se është bërë më i theksuar një tundim gjithnjë i pranishëm: ai i përgjimit dhe spiunimit, duke instrumentalizuar të tjerët për interesat tona. Përkundrazi, ajo që e bën komunikimin të mirë dhe plotësisht njerëzor është pikërisht dëgjimi i atij që kemi përballë, ballë për ballë, dëgjimi i tjetrit para të cilit afrohemi me qasje të ndershme, mirëbesuese dhe të sinqertë.
Mungesa e dëgjimit, të cilën e përjetojmë shumë herë në jetën e përditshme, fatkeqësisht shfaqet ndjeshëm edhe në jetën publike, ku shpesh në vend që të dëgjojmë njëri-tjetrin, “i mbushim veshët njëri-tjetrit”. Kjo është një simptomë e faktit se konsensusi kërkohet më shumë se e vërteta dhe e mira; më shumë se ndaj dëgjimit, jemi të vëmendshëm ndaj audiencës. Komunikimi i mirë, përkundrazi, nuk përpiqet t’i bëjë përshtypje publikut me fjalë therëse, me qëllim për të tallur bashkëbiseduesin, por i kushton vëmendje arsyeve të tjetrit dhe përpiqet të kuptojë kompleksitetin e realitetit. Është e trishtueshme kur, edhe në Kishë, formohen rreshtime ideologjike, dëgjimi zhduket dhe vendi i lihet kontrasteve sterile.
Në realitet, në shumë bashkëbisedime ne nuk komunikojmë fare. Thjesht presim që tjetri të përfundojë së foluri për të imponuar këndvështrimin tonë. Në këto situata, siç vëren filozofi Abraham Kaplan, [3] dialogu është një duolog, një monolog dyzërash. Në komunikimin e vërtetë, përkundrazi, “uni” dhe “ti”-hi janë që të dy “në dalje”, të prirë ndaj njëri-tjetrit.
Prandaj, dëgjimi është përbërësi i parë i domosdoshëm i dialogut dhe i komunikimit të mirë. Komunikimi nuk bëhet nëse dëgjimi nuk ka ndodhur dhe nuk ka gazetari të mirë pa aftësinë për të dëgjuar. Për të ofruar informacion solid, të balancuar dhe të plotë, është e nevojshme të keni dëgjuar për një kohë të gjatë. Për të rrëfyer një ngjarje ose për të përshkruar një realitet në raportimin e lajmeve, është thelbësore të dini se si të dëgjoni, të jeni gati edhe për të ndryshuar ide, për të ndryshuar supozimet fillestare.
Në të vërtetë, vetëm nëse dilet nga monologu mund të arrihet në atë përputhje zërash që është garanci e një komunikimi të vërtetë. Dëgjimi i disa burimeve, “të mos ndalesh në pijetoren e parë” – siç na mësojnë ekspertët e fushës – siguron besueshmërinë dhe seriozitetin e informacionit që transmetojmë. Dëgjimi i disa zërave, dëgjimi i njëri-tjetrit, edhe në Kishë, midis vëllezërve dhe motrave, na lejon të ushtrojmë artin e të dalluarit, i cili shfaqet gjithmonë si aftësia për t’u orientuar në një simfoni zërash.
Por, pse të përballemi me orvatjen për të dëgjuar? Një diplomat i madh i Selisë së Shenjtë, Kardinali Agostino Casaroli, fliste për “martirizimin e durimit”, i nevojshëm për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar në negociatat me bashkëbiseduesit më të vështirë, me synimin për të arritur të mirën më të madhe të mundshme në kushtet e kufizimit të lirisë. Por edhe në situata më pak të vështira, dëgjimi kërkon gjithmonë virtytin e durimit, së bashku me zotësinë për t’u befasuar nga e vërteta, qoftë edhe një fragment i së vërtetës, te personi që dëgjojmë. Vetëm mahnitja e lejon njohurinë. Mendoj për kureshtjen e pafund të fëmijës që shikon botën përreth me sy të zgurdulluar. Të dëgjosh me këtë qëndrim shpirti – mahnitja e fëmijës në vetëdijen e një të rrituri – është gjithmonë një pasurim, sepse gjithmonë do të ketë diçka, sado e vogël, që do të jem në gjendje ta mësoj nga tjetri dhe ta përdor frytshëm në jetën time.
Aftësia për të dëgjuar shoqërinë është si asnjëherë e çmuar në këtë kohë të lënduar nga pandemia e gjatë. Kaq shumë mosbesim i akumuluar si kurrë më parë ndaj “informacionit zyrtar” ka shkaktuar edhe një “infodemi”, brenda së cilës është gjithnjë e më e vështirë të bëhet e besueshme dhe transparente bota e informacionit. Duhet ta hapim veshin dhe të dëgjojmë në thellësi, veçanërisht para trazirave sociale të shtuara nga ngadalësimi ose ndërprerja e shumë aktiviteteve ekonomike.
Realiteti i migrimit të detyruar është gjithashtu një problematikë komplekse dhe askush nuk e ka recetën e gatshme për ta zgjidhur atë. E përsëris se, për të kapërcyer paragjykimet mbi emigrantët dhe për të shkrirë ngurtësinë e zemrave tona, duhet të përpiqemi të dëgjojmë historitë e tyre. T’i japim secilit prej tyre një emër dhe një histori. Shumë gazetarë të mirë tashmë e bëjnë këtë. Dhe shumë të tjerë do të dëshironin, sikur të mundnin. Le t’u japim zemër atyre! Le t’i dëgjojmë këto histori! Atëherë çdokush do të jetë i lirë të mbështesë politikat e migracionit që i çmon më të përshtatshmet për vendin e vet. Por ne do të kemi para syve, në çdo rast, jo numra, jo pushtues të rrezikshëm, por fytyra dhe histori njerëzish konkretë, shikime, pritshmëri, vuajtje burrash e grash për t’u dëgjuar.
Duke dëgjuar njëri-tjetrin në Kishë
Edhe në Kishë ka një nevojë të madhe për dëgjim dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin. Është dhurata më e çmuar dhe më gjeneruese që mund t’i ofrojmë njëri-tjetrit. Ne të krishterët harrojmë se shërbimi i dëgjimit na është besuar nga Ai që është dëgjuesi vetë, në veprën e të cilit jemi të thirrur të marrim pjesë. «Ne duhet të dëgjojmë përmes veshit të Hyjit nëse duam të jemi në gjendje të flasim përmes Fjalës së tij». [4] Kështu na kujton teologu protestant Dietrich Bonhoeffer se shërbimi i parë që u detyrohemi të tjerëve në bashkim qëndron në dëgjimin e tyre. Kush nuk di të dëgjojë vëllain e tij së shpejti nuk do të jetë më në gjendje të dëgjojë as Hyjin. [5]
Në veprimin baritor, vepra më e rëndësishme është “apostullimi i veshit”. Dëgjoni para se të flisni, siç këshillon Jakobi apostull: «Çdo njeri të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur» (1,19). Të japësh dhuratisht pak nga koha vetjake për të dëgjuar njerëzit, është akti i parë i dashurisë.
Sapo ka nisur një proces sinodal. Le të lutemi që të jetë një mundësi e madhe për dëgjim të ndërsjellë. Bashkimi, në të vërtetë, nuk është rezultat i strategjive dhe programeve, por ndërtohet mbi dëgjimin e ndërsjellë midis vëllezërve dhe motrave. Sikurse në kor, uniteti nuk kërkon uniformitet, monotoni, por shumësi dhe larmi zërash, polifoni. Në të njëjtën kohë, çdo zë i korit këndon duke dëgjuar zërat e tjerë dhe në lidhje me harmoninë e të tërës. Kjo harmoni është konceptuar nga kompozitori, por realizimi i saj varet nga simfonia e të gjitha zërave.
Në vetëdijen e pjesëmarrjes në një bashkim që na paraprin dhe na përfshin, ne mund të rizbulojmë një Kishë simfonike, në të cilën secili është në gjendje të këndojë me zërin e vet, duke pranuar si dhuratë atë të të tjerëve, për të shfaqur harmoninë dhe përbashkësinë që Shpirti Shenjt përfton.
Romë, Shën Gjoni në Laterano, 24 janar 2022, Përkujtimi i Shën Françeskut të Sales.
Françesku