TIRANË– Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi sot kualifikimin e Darjel Sinës, si kandidatin e katërt për gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Sina, i cili ushtron funksionin e Komisionerit Publik, në procesin e vetting të prokurorëve dhe gjyqtarëve, sipas KLGJ pritet të emërohet në Gjykatën e Lartë, duke e çuar në 4 numrin e anëtarëve të saj.
“Në përfundim të procedurave të verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore, pasurisë dhe figurës, të kandidatit të katërt për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, z.Darjel Sina, Këshilli vendosi kualifikimin e tij si dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën e Lartë”, thuhet në njoftimin zyrtar të KLGJ.
KLGJ pritet të përfundojë pikëzimin për Sinën dhe t’i hapë rrugë emërimit të tij në Gjykatën e Lartë.