La Rinconada, një qytet në Peru, është qyteti i banuar në lartësinë më të madhe mbi nivelin e detit. Më shumë se 30 000 banorët e tij jetojnë në një lartësi prej gati 5 100 metra mbi nivelin e detit.
E vendosur në majën e malit Ananea, në mes të Andeve, kushtet e motit janë ekstreme atje, me temperatura vetëm pak mbi zero gradë gjatë pjesës më të madhe të vitit.
Duke qenë pika më e lartë e banuar në botë, është gjithashtu një nga më të izoluarat. Qyteti ndodhet në 5090 metra mbi nivelin e detit, nën hijen e një akullnaje të madhe të njohur si “Bukuroshja e Fjetur”. Të shkosh në La Rinconada është e ndërlikuar, pasi duhet të kalosh një shteg të vështirë në rrëzë të malit, të mbuluar nga shkëmbinj dhe madje edhe akull gjatë muajve më të ftohtë. Një udhëtim që, në rastin më të keq, mund të zgjasë me ditë.
Siç raporton “Bussines Insider”, qyteti nuk ka hotele apo spitale, ndërsa Qeveria mezi ka prezencë në të. Për vizitorët, këto janë kushte shumë të vështira, sepse në një lartësi kaq drastike është vështirë për të marrë frymë. Kjo quhet edhe “sëmundja e lartësisë”, e cila ndihet në rreth 3048 metra mbi nivelin e detit. Duke pasur parasysh që La Rinconada është edhe 2000 metra të tjera më lart, “sëmundja e lartësisë” ndihet jashtëzakonisht shumë.
Në këtë zonë, varfëria është dominuese. Pjesa më e madhe e ekonomisë së qytetit varet nga minierat e arit, të cilat ndodhen në faqen veriore të malit që e rrethon atë. Rritja e çmimit të arit midis 2001 dhe 2009 bëri që të rritej shumë numri i popullsisë. Ari u rivlerësua me 235%, ndërsa popullsia u rrit në 50 000 banorë.
Sipas “National Geographic”, bëhet fjalë për një popullsi kalimtare, e cila varion nga 30 000 deri në 50 000 banorë, në një qytet pa sistem grumbullimi plehrash, ujëra të zeza apo ujë të rrjedhshëm. Minatorët që e fitojnë bukën e gojës me ar, nuk kanë një listë të rregullt pagese, por mund të mbajnë çdo copë ari që gjejnë në ditën e fundit të çdo muaji. Megjithatë, detyra ka rreziqet e veta: ata duhet të ecin rreth 30 minuta për të përballuar gazrat e rrezikshëm, mërkurin, cianidin dhe mungesën e oksigjenit, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Në mungesë të shërbimeve bazë, shumë njerëz zgjedhin t’i djegin plehrat. Të tjerët, i lënë ku të gjejnë vend. Ky grumbullim mbetjesh shkakton disa raste të helmimit me mërkur çdo vit.