Në takimin e radhës me demokratët, Lulzim Basha i ka quajtur kalorës të apokalipsit Berishën, Ramë dhe Metën që sipas tij janë bashkë në luftën për shkatërrimin e Partisë Demokratike.
“Kalorësit e apokalipsit, Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike”, tha Basha.
Berishës u kujdes t’i përgjigjej edhe për akuzat se është pjesë e aferës së inceneratorëve.
“Kemi 6 vite që denoncojmë aferën e inceneratorëve dhe ju e dini mjaft mire që një ministër i Edi Ramës sot është prapa hekurave. A është fundi? Jo.. Njerëzit që kanë bere biznes me oligarkët e Edi Ramës sot i ke me Sali Berishën me Edi Ramën duke kompletuar ditë për ditë kundër demokrateve dhe kundër shqiptareve. Shpifje, linçime, palo burrëllëk”, tha Basha.
Por edhe pse partia Demokratike është përballë zgjedhjeve të 6 Marsit, kryedemokrati nuk foli për përgatitjet dhe kandidatët në një garë me PD të përçarë por akuzoi pushtetin vendor
“Një pushtet vendor të degraduar pas 30 e ca vitesh demokraci, më të përqendruar se kurrë në grushtin e disa çifligarëve që as bashkiakë nuk meritojnë të quhen”, tha Basha.
PD nuk ka zyrtarizuar akoma asnjë kandidat për zgjedhjet në 6 bashki.