Danimarka u bë vendi i parë i BE-se që hoqi të gjitha kufizimet e Covid brenda vendit, pavarësisht numrit rekord të rasteve të variantit Omicron. Të tjera shtete mund të ndjekin shembullin e Danimarkës dhe natyrshëm shumëkush mund të pyesë: A është kjo një fitore ndaj Covid?
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se është shumë herët që vendet të shpallin fitoren ndaj Covid-19 ose të heqin dorë nga përpjekjet për të ndaluar transmetimin, raporton Agence France-Presse. Teksa fliste për gazetarët, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha: “Është e parakohshme që çdo vend ose të dorëzohet ose të shpallë fitoren. Ky virus është i rrezikshëm dhe vazhdon të evoluojë para syve tanë.”
“Jemi të shqetësuar që në disa vende mendohet se për shkak të vaksinave dhe për shkak të transmetueshmërisë së lartë dhe ashpërsisë më të ulët të Omicron, parandalimi i transmetimit nuk është më i mundur dhe nuk është më i nevojshëm. Një mendim i tillë është shumë larg të vërtetës. Më shumë transmetime të Covid do të thotë më shumë vdekje,” shtoi Tedros.
Shefi i agjencisë shëndetësore të OKB-së vuri në dukje se që kur Omicron u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut 10 javë më parë, rreth 90 milionë raste janë raportuar në OBSH – më shumë se të gjitha rastet në vitin 2020. Ndonëse varianti i ri Covid dihet se është më i butë, ai theksoi se “tani po fillojmë të shohim një rritje shumë shqetësuese të vdekjeve në shumicën e rajoneve të botës.”
“Ne nuk po bëjmë thirrje që shtetet të rikthehen në të ashtuquajturën ‘karantinë’,” tha Tedros, duke shtuar se megjithatë “ne po u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të mbrojnë njerëzit e tyre duke përdorur çdo mjet të mundshëm, jo vetëm vaksinat.”