Whoopi Goldberg po përballet me reagime të ashpra pas një prononcimi të saj në një emision në SHBA se Holokausti “nuk kishte të bënte me racën”.
Aktorja e njohur ishte shprehur se gjenocidi nazist ndaj hebrenjve përfshinte “dy grupe njerëzish të bardhë”. 66 vjeçarja, fituese e çmimit Oscar, e cila është pjesë e emisionit të famshëm amerikan “The View” në Abc News qe prej vitit 2007 u tha bashkë-prezantuesve të saj:
“Jam e habitur që ishte kjo që ju bëri të mos ndiheni rehat, fakti që kishte pak lakuriqësi. Dua të them, bëhet fjalë për Holokaustin, vrasjen e gjashtë milionë njerëzve, por kjo nuk ju shqetësoi? Nëse do ta bëni këtë, atëherë le të jemi të sinqertë për këtë. Sepse Holokausti nuk ka të bëjë me racën. Jo, nuk ka të bëjë me racën”, tha aktorja.
Bashkë prezantuesi Joy Behar vuri në dukje se nazistët i cilësonin hebrenjtë si një një racë tjetër. Por Goldberg tha: “Por nuk ka të bëjë me racën. Nuk ka të bëjë. Ka të bëjë me anën çnjerëzore te njeriut ndaj njerëzve të tjerë.” “Por bëhet fjalë për supremacinë e bardhë,” u përgjigj bashkë-prezantuesja Ana Navarro. “Ka të bëjë me persekutimin e hebrenjve, ciganëve dhe romëve.”
Ajo i tundi me kokë dikujt pas kamerës ndërsa muzika me temën e emisionit luhej për të sinjalizuar një pushim reklamash. Emisioni u kritikua për përhapjen e dezinformatave të rrezikshme dhe një sërë kritikash shënjestruan dhe aktoren për deklaratën e saj. Aktorja më vonë kërkoi falje.