Presidenti Ilir Meta ka ngritur alarmin e ngritjes së çmimit të karburantit dhe ushqimeve në vendin tonë, në një kohë që Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagës minimale krahasuar me rajonin. Në një posttim në rrjetet sociale kreu i shtetit shprehet se çmimet i vendosin oligarkët dhe jo tregu. Ai apelon për të mos e lënë ekonominë në dorë të aventurierëve, që po varfërojnë shqiptarët dhe po falimentojnë Shqipërinë.
“Ekonomia nuk mund t’u lihet në dorë aventurierëve, që po varfërojnë shqiptarët dhe po falimentojnë Shqipërinë! Me nivelin më të ulët të pagës minimale krahasuar me vendet e rajonit, rritja e çmimeve në Shqipëri nuk ka të ndalur. Sipas të dhënave të EUROSTAT aktualisht, paga minimale në shkallë vendi është: Në Shqipëri 248.4 Euro, në Maqedoninë e Veriut 366.1 Euro, në Serbi 401.4 Euro, në Malin e Zi 532.5 Euro.Ndërkohë nga fillimi i shkurtit 2022, çmimet e karburanteve në Shqipëri u rritën sërish me gati 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër”.
Meta thekson se përveç rritjes së çmimit të karburantit janë rritur edhe çmimet e ushqimeve dhe transportit, si edhe janë shtuar shpenzimet për shëndetësinë.
“Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet shqiptare, përveç karburanteve, pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.5%. Shërbimet e transportit janë rritur me 6.9%. Shpenzimet familjare për shëndetësinë janë rritur me 28%. Çmimet në Shqipëri i vendosin oligarkët dhe jo tregu!”, shprehet kreu i shtetit.