Presidenti i Republikës Ilir Meta këtë të premte ka reaguar sërish në lidhje me rritjen e çmimit të karburanteve. Në një postim në “Facebook”, Meta shkruan se rritja e çmimeve ka pasoja shkatërruese afatshkurtra dhe afatgjata për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë kombëtare. Ndër të tjera, kreu i shtetit thekson se këto janë treguesit e vërtetë për kapjen e shtetit.
Duke vlerësuar konstatimin e “Konfindustria” se rritja e pajustifikuar e çmimeve është tregues i qartë i pranisë së karteleve, monopoleve dhe oligopoleve në treg, i bashkohem propozimit për ngritjen urgjente të një Komisioni Parlamentar për hetimin e shkaqeve dhe rolit të munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregulltore përgjegjëse, me tipare të qarta të “kapjes së shtetit” dhe pranisë së korrupsionit në nivelet më të larta. Boll me justifikime të pavlera! Koha për të shpëtuar shqiptarët nga varfëria dhe Shqipërinë nga falimenti është tani!”, shkruhet në postimin e presidentit.
Kujtojmë se çmimi i naftës është rritur ndjeshëm dhe po kap shifrat e afro 200 lekëve, duke arritur një rekord të ri. Një litër naftë blihet me 193 lekë nga 187 lekë sa ishte në tetor, ndërsa benzina me 195 lekë. Ndërkohë që gazi ka arritur në 94 lekë, nga 82-89 lekë që është luhatur deri më tani. Në më pak se një vit kjo është hera e shtatë që çmimet e hidrokarbureve rriten në Shqipëri.