Presidenti Ilir Meta ka njoftuar sot në një konferencë për media se ka firmosur kallëzimin penal kundër funksionarëve të Kuvendit për falsifikim. Presidenti Meta deklaroi se kallëzimi është depozituar në SPAK, Prokurorinë e Tiranës dhe për dijeni Prokurorit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për dokumentet e sjella nga përfaqësuesit e maxhorancës në Kuvend në Gjykatën Kushtetuese, që sipas përfaqësuesve ligjorë të Presidentit janë falsifikuar.
“Sot kam firmosur kallëzimin penal si President i Republikës kundër strukturave, funksionarëve përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë për veprat penale të kryera në bashkëpunim, atë të falsifikimit të dokumenteve. Sapo ky kallëzim të depozitohet në prokurorinë e Posaçme dhe në Prokurorinë e Tiranës dhe për dijeni dhe Prokurorisë së Përgjithshme, menjëherë do ta publikojmë të plotë në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës dhe aty do të keni të gjitha parashtrimet”, deklaroi Meta.
Konferenca mbahet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë nga dita në ditë vendimin për shkarkimin ose jo të Kreut të Shtetit. Kushtetuesja më 7 shkurt u tërhoq për vendim me një afat brenda 30 ditëve nga kjo datë.