Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sapo ka vendosur që Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ta kryejë dënimin në IEVP Fier.
Pak ditë pasi gjykata GJKKO e dënoi me 3 muaj e 4 vite burg, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të vuajë dënimin në burgun e Fierit. Ky ishte vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Fillimisht pas vendimit të gjykatës, Tahiri u transferua në burgun 313, ku u vendos në godinën nr.2, godina e re e burgut. Për arsye sigurie ai u la vetëm në një qeli, pasi në kohën kur ka qenë ministër i Brendshëm, janë arrestuar shumë nga të burgosurit që ndodhen aty.
Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.
Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.
Ndërkohë, 2 prej 3 gjyqtarëve të Apelit të GJKKO që kanë dënuar Saimir Tahirin me 3 vite e 4 muaj burg ishin në konflikt interesi. Prapaskena u vërtetua dje nga Report Tv, dy ditë pas vendimi që çoi në qeli ish-ministrin e Brendshëm. Vendimi për dënimin e ish ministrit të Brendshëm është marrë nga një trupë gjykuese, e kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, për të cilin në vitin 2014 vetë Saimir Tahiri kishtë kërkuar ndëshkim për shkelje në 3 procese gjyqësore. Ndërkohë që edhe gjyqtari tjetër Florjan Kalaja ishte në konflikt interesi. Vëllai i tij Aulon Kalaja është anëtar i Këshillit kombëtar të PD dhe gjithnjë ka mbajtur qëndrime shumë të ashpra ndaj Saimir Tahirit.
Kujtojmë se Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.