Kuventi pritet të nisë sot në orën 10:00, ku do të hidhen në votim propozimet e mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën për zgjatjen e mandatit të afateve të vettingut. Partia Demokratike nuk e ka zyrtarizuar ende votën pro zgjatjes së afateve të vettingut, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar vazhdimisht takime me diplomatët e huaj në vendin tonë. Ndërkohë mësohet që ditën e sotme, në mëngjes, Basha do të mbledhë deputetët, ku do t’i njohë me qëndrimin, pas negociatave të zhvilluara këto ditë me ndërkombëtarët.
Nga ana tjetër grupi i Sali Berishës ka dalë hapur kundër SHBA e BE-së, duke deklaruar votën kundër zgjatjes së afateve të vettingut. Mbështetësi i Berishës, deputeti Edi Paloka ka deklaruar qëndrimin kundër, ndërsa e konsideron vettingun një ‘komision të përbërë nga familjarë të afërt të qeveritarëve që ka marrë vendime politike’.
Kujtojmë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion që zgjatja e afateve të vettingut të votohet. SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje deputetëve që të votojnë të gjithë pro këtyre ndryshimeve. Ata nënvizuan se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe edhe falë saj vendi ka bërë shumë përparim. Të njëjtin mesazh dha edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt.
Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se mirë do të ishte zgjatja e mandatit pasi kur proces i filluar nga ky komision pra vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të mbyllet nga ky komision.
Në përditësim…