Avokati Jetmir Bilali (në foto) dhe shoku i tij patën të njëjtin fat; u mashtruan nga një grua, e cila duke shfrytëzuar besimin e tyre si myslimanë ju premtoi se do t’i ndihmonte në emër të Zotit.
Njërin pasi u shtir si juriste në Parlament, e mashtroi se do ta ndihmonte për biznesin, për të cilin ajo kishte dërguar shkresa false me logon e bashkisë duke e njoftuar për shembjen e dyqanit. Tjetrit i tregoi se kishte shoqe ministren e Drejtësisë dhe mund t’ja zgjidhte çështjen për 10 mijë euro.
Në Gjykata e Tiranës historitë e mashtrimeve janë nga më të pabesueshmet. Shtetas që prezantohen me njohje të fuqishme apo shtiren si zyrtarë drejtore, këshilltarë në ministri apo në kryeministri, sikurse ka prezantuar dhe ka përdorur si formulë, 49 vjeçarja, Miranda Fortuzi, e cila veç premtimeve do të garantonte leje për mësimdhënien, ka shpërdoruar besimin e atyre që ka shënjestruar.
Fortuzi është e dënuar dhe në vitin 2014, pasi ishte shfaqur si një zyrtare në Ministri dhe premtonte licensa noterie.
Prokuroria e kryeqytetit konfirmon për TCH se së fundmi janë shtuar denoncimet ndaj mashtruesve qe përfitojnë vlera te vogla qe nga telefonat deri tek veshjet, siç ishte se fundmi rasti i Elvira Lanit që prezantohej si shefe krimesh.
Por në Gjykatën e Tiranës rezulton se vazhdojnë të kryesojnë ata qe përfitojnë nga shitje blerjet e shtëpive, në vend të dytë mashtrimet për një vend pune dhe në vend të tretë mashtrimet për të zgjidhur çështje pranë akuzës, gjykatës apo burgjeve.