E thirrur në interpelancë nga deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku rrëzoi akuzat e tij se porti i Durrësit do ndërtohet nga kompani fantazmë. Ajo garantoi se projekti prej 2 miliard eurosh do ndërtohet nga sheiku nga Dubai Alabbar dhe synon transformimin rrënjësor të zonës që do sjellë edhe punësimin e mbi 12 mijë personave.
Projekti 2 miliardë euro për kthimin e portit të Durrësit në pikë turistike, solli në Kuvend akuza të forta nga opozita për afera korruptive dhe kompani offshore. Deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferraj, nga foltorja e Kuvendit tha se projekti për Portin e Durrësit ka shmangur transparencën dhe konkurrencën dhe se ‘Emar Group s’ka lidhje me ndërtimin e Portit të Durrësit.
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e thirrur në një interpelancë nga deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferraj, në përgjigje të akuzave detajoi projektin dhe shpjegoi se kompania Symphony Invest Limited që opozita e konsideron offshore është pronë e Alabbar, që drejton EMAR GRUP. Me ironi ministrja Balluku i kujtoj Xhaferrajt investimet që kompania EMAR bën në Malin e Zi.
“Investimi vjen nga kompania Symphony që është pronë e ALABAR. Përfshinë 79 hektar, 12 mijë të punësuar, 12 mijë banesa, 5 hotele dhe 850 dhoma. 250 poste për parkimin e anijeve, jahte të mëdha dhe të vogla. Kjo opozitë na tregonte malin e zi sesi po avanconte në investimet turistike. Një nga investitorët e malit të zi është ALABAR. Kur investojnë atje është diçka për tu pasur xhelozi, kur vijnë këtu është aferë korruptive”, tha Balluku.
Porti i Durrësit do të kthehet në një pikë turistike, që sipas qeverisë do të zhvilloj jo vetëm këtë qytet por të gjithë vendin.