Presidenti Ilir Meta ka propozuar sot emrin e Gent Sejkos për një mandat të dytë 7 vjeçar si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Me një njoftim për mediat, Meta argumenton propozimin e tij teksa shkruan se vlerëson politikën e Bankës së Shqipërisë për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.
Gjithashtu Meta nënvizon rolin e Bankës së Shqipërisë për të siguruar që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid. Dekreti i Metës pritet të kalojë për votim në Kuvend, pasi për të vendosur se kush do të jetë guvernator i Bankës Qendrore për 7 vitet e ardhshme duhet të ketë dakordësi mes Presidentit dhe Kuvendit.
Prej 5 shkurtit 2022, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka mbaruar mandati 7-vjeçar. Gent Sejko u emërua Guvernator 5 shkurtin e vitit 2015 nga Kuvendi, bazuar në dekretin e Presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani. Emërimi i Sejkos erdhi pas ndërprerjes së mandatit të Ardian Fullanit, i cili u shkarkua nga Këshilli Mbikëqyrës pas arrestimit për vjedhjen në thesarin e shtetit.
Nëse zgjidhet, ky do të jetë mandati i dytë dhe i fundit i Sejkos si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, pa të drejtën për t’u rizgjedhur sërish.
Njoftimi i Presidencës:
Nisur nga fakti që Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka përfunduar mandati në datën 5 shkurt 2022, Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta, pasi ka ndjekur me vëmëndje dhe zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 161, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka dekretuar që :
Zoti Gent Sejko t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t`u rizgjedhur si Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.
Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid.
Megjithatë, në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Rreziku i rritjes së kredive me probleme shton rëndësinë e një monitorimi të ngushtë të cilësisë së portofolit të kredisë së bankave, ruajtjen e rezervave të kapitalit dhe forcimin e kornizave të zgjidhjes së kredive të këqija.
Të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale në rritje që lidhen me rritjen e borxhit publik dhe të ekspozimit ndaj rritjes së portofolit të projekteve të Partneritetit Publik Privat.
Në përditësim…