Gjatë muajve Shtator dhe Tetor 2021, gazetarët e ACQJ kanë përcjellë pranë institucioneve të ndryshme shtetërore, qendrore dhe lokale, mbi 90 kërkesa për informacion për çështje të ndryshme. Nga këto kërkesa për informacion, vetëm 1/3 e kërkesave kanë përftuar përgjigje brenda afatit ligjor të parashikuar në Ligjin për të drejtën e informimit, me 18 raste në të cilat autoritetet publike kanë kthyer përgjigje pas kalimit të këtij afati. Pothuajse 50% e këtyre kërkesave nuk kanë marë një përgjigje, dhe përcjellja e informacionit të kërkuar është kryer vetëm pas depozitimit të ankimeve përkatëse pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale.Në të njëjtën kohë, ACQJ ka përcjellë informacion dhe pranë më shumë se 74 autoriteteve publike qendrore, lokale dhe agjenci në varësi të institucioneve qendrore (Kuvendi i Republikës së Shqipërisë/Presidenti i Republikës/Këshilli i Ministrave/11 Kabinete Ministrore/ 61 Njësi të Qeverisjes Vendore/ etj.) me pyetje mbi tarifat e riprodhimit të informacionit shkresor në rast të depozitimit të një kërkese për informacion.Në ditët në vijim, ACQJ do të publikojë informacionin e përftuar, i cili tregon një mungesë koordinimi në përcaktimin e tarifave gjithpërfshirëse për dhënien e informacionit me karakter publik, me një numër tejet të lartë institucionesh të cilat nuk kanë në vend një plan tarifor, dhe një numër institucionesh të cilat kanë publikuar tarifa tejet të larta riprodhimi, përtej parashikimeve ligjore dhe udhëzimeve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, për riprodhim të informacionit në kosto.