Për zgjidhjen e të gjithë halleve të fermerëve, Sali Berisha shikon rrëzimin e Ballkanit të Hapur dhe rritjen e granteve për sektorin e bujqësisë. Në një takim me fermerët e Lushnjës, Berisha tha se rreziku i fermerëve është Ballkani i Hapur, ndërsa do të rrisë fuqishëm grantet për bujqësinë.
“Ne rikthehemi fuqishëm te sistemi i granteve. Ne do subvencionojmë dhe ky subvencionim, ju garantoj që të paktën buxheti për bujqësinë do të jetë mbi mesataren e buxhetit të rajonit. Sot ne kemi një buxhet dy herë më të ulët se Kosova dhe vendet e tjera përreth. Pra ne do rrisim detyrimisht dhe që në vitin e parë buxhetin për bujqësinë. Do subvencionojmë blegtorinë dhe do vendosim subvencione për kokë. Një gjë ju garantoj: fermeri nuk do ketë asnjë taksë në shitjet e tij. Shteti nuk do i marrë atij asnjë taksë për shitjet. Shteti do i paguajë atij të gjithë taksat që ka paguar në blerjet e tij. Ky nuk është standard utopik, por është standard i BE-së. Asnjë shqiptar nuk humbet nga ky standard, përkundrazi, fitohet më shumë. Fiton ekonomia. Sikundër ne, ju garantoj se Ballkanin e Hapur do e hedhim poshtë, pasi është një nismë shumë e rrezikshme për fermerët tanë, pasi duhet të krahasoheni me fermerë që marrin subvencione të mëdha nga qeveria serbe. Do vendosim sistemin evropian të marrëdhënies së agronomit me fermerin. Sot janë me qindra fermerë që nuk e kanë shitur vajin e ullirit,” tha Berisha.
Berisha foli edhe për inceneratorët, ndërsa tha se nëse 420 mln euro do ishin investuar në bujqësi të gjithë kanalet vaditëse do ishin rregulluar në të gjithë vendin. Ai tha se qytetarët duhet të votojnë të zgjedhur e tij Elton Banon dhe jo ” kandidatët e inceneratorëve, përfaqësuesit e korrupsionit më të shëmtuar dhe të mos votojnë kandidatët e veglave të Edi Ramës, të Toyota Yaris, të Nick Muzin”.