TIRANË- Që në orët e para të mëngjesit, banorët e ‘5 majit’ po protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat priten të shemben nga IMT, në kuadër të projektit të rindërtimit dhe rikualifikimit urban. Banorët në shenjë rezistence, kanë tentuar që të pengojnë policinë që të ndërhyjë, duke refuzuar që të largohen, ndërsa është paralajmëruar që të shemben 12 banesa. Ndërkohë që janë përplasur edhe me policinë, ku kanë qëlluar me shkopinj si dhe kanë hedhur shashka. ‘Jeni plehra, jeni plehra’, dëgjohen ato t’u thonë efektivëve të policisë.
Pavarësisht rezistencës së banorëve, fadromat e IMT-së, kanë ndërhyrë dhe po kryejnë procesin e shembjes së shtëpive.
Tek prisnin që t’u shembej shtëpia, vajza e banorit Bekim Cerri, feston datëlindjen e mbush pikërisht 5 vjeç. Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet teksa vogëlushja shpërndan ëmbëlsira tek banorët e tjerë të cilët nuk i pret një ditë po kaq e hareshme. Bekim Cerri, i ati vajzës ndodhet në listën e banorëve që pritet t’iu prishen shtëpitë ditën e sotme, përveç tij priten të jenë edhe 10 banorë të tjerë.
Lista e pronarëve të pronave që pritet t’u shëmbet shtëpia sot nga njësia nr.4 dhe njësia nr.8
Arben Deda shtëpi+ tokë të legalizuar
Geg Nikolli shtëpi + tokë të legalizuar
Simon Nikolli shtëpi+ tokë të legalizuar
Eduart Nikolli shtëpi + tokë të legalizuar
Fehmi Suti vetem shtëpinë e legalizuar
Preng Kodra vetëm shtepinë e legalizuar
Gjin Nikolli shtepinë e legalizuar, tokën jo
Vlash Marku në proces legalizimi
Bekim Cerri proces legalizimi
Laureta Nikolli ndërtim pa leje
Genc Gjini në proces legalizimi
Në zgjidhjen që ka ofruar bashkia, banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor. Nga ana tjetër, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re.