Champions league kthehet këtë të martë me sfidat e radhës në fazën e 1/8-ve. Villareal i Unai Emery do të sfidojë Juventusin e Massimiliano Allegri. Paralelisht, në orën 21:00, Chelsea do të luajë ndaj Lille.
Bardhezinjtë dhe londinezët ishin në grupin H, të fituar nga italianët. Si skuadër e pozicionuar në vendin e parë, Juventusi kishte privilegjin që ndeshjen e kthimit e luan në shtëpi, ç’ka cilësohet një avantazh i vogël në letër. Problemi i Allegrit lidhet me mungesat. Bonucci do të jetë në stol, teksa Chiellini e Dybala nuk udhëtuan drejt Spanjës, me Danilo, de Ligt e Alex Sandro që japin garanci në mbrojtje, teksa Vlahovic e Morata do të udhëheqin manovrat sulmuese.
Kjo do të jetë hera e parë që Villareal dhe Juventus luajnë në një aktivitet europian dhe ndeshja e dytë ku “nëndetësja e verdhë” përballet me një skuadër italiane në fazën me eliminim të Champions. Në edicionin 2005/06 ata eliminuan Interin në çerekfinale falë golit në trasfertë, rregull që tashmë është hequr.
Paralelisht, Chelsea do të sfidojë Lille, me francezët që në mënyrë surprizë fituan grupin G, me Salzburg, Sevilla e Wolfsburg. Përballja është prej më të vështirave për Lille, duke vlerësuar formën e mirë që po kalon Chelsea dhe faktin se blutë janë kampionë të Europës në fuqi. Megjithatë, Champions ka konfirmuar se në fushë, emri nuk ka aspak rëndësi.