Një supergrabitje si nëpër filma ka qenë ajo e tentativës së një dite më parë nga persona ende të paidentifikuar për të grabitur një bankë të nivelit të dytë në Tiranë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Grabitësit kishin pikasur një bankë të nivelit të dytë për të grabitur që ndodhej brenda qendrës tregtare “Veve Center” dhe për të hyrë brenda saj kanë përdorur tunelet dhe kanalet nëntokësore të bulevardit të ri “Zogu I”.
Autorët të veshur me jelekët e punës të punonjësve që kryejnë shërbime aty në mënyrë që të kamufloheshin ka lehtësuar punën e tyre për të hyrë në kanalet e ujërave të zeza dhe më pas për të gërmuar me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë. Policia ka reaguar për tentativën e vjedhjes së bankës së nivelit të dytë në Tiranë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Por autorët u pikasën nga Forcat Shqiponja, të cilët panë njërin prej tyre të dilte nga kanali i ujëave të zeza. Grabitësi sapo pa efektivët hodhi armën e tij në kanal dhe u largua me vrap. Kjo ka bërë që efektivët të shkojnë menjëherë në zonë, ku zbuluan armën dhe më pas nga hetimet u zbuluan gërmimet që ishin bërë nga grabitësit për të vjedhur bankën e nivelit të dytë.
Dyshohet se grabitësit kanë pasur hartën e tunelit dhe dinin ekzaktësisht se si mund të shkonin duke gërmuar brenda ambienteve të bankës dhe për këtë arsye po hetohet se ata mund të jenë ndihmuar nga punonjës të elektricistëve dhe të mirëmbajtjes së tunevele nëntokësore, të cilët mund t’i kenë dhënë planimetrinë e zonës së ndërtuar.
“Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.”