Forcat ruse kanë sulmuar disa zona të ndryshme përreth Ukrainës. Pushtimi nisi nga Donbasi nga ku u raportuan të vrarë dhe të plagosur. Por pse është Rusia “e fiksuar” me Ukrainën? Cilat janë rrënjët e konfliktit?
Marrëdhëniet historike
Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në fillim të viteve 1990, Ukraina, një ish-Republikë Sovjetike, kishte arsenalin e tretë më të madh atomik në botë. Duke parashikuar një marrëdhënie miqësore me Moskën, Kievi i ktheu Rusisë rezervat e konsiderueshme bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë që e mbronin nga një sulm i mundshëm rus. Në atë kohë, ukrainasit nuk kishin frikë nga Rusia. Edhe ukrainasit që flisnin rusisht mbështetën në masë të madhe pavarësinë e Ukrainës.
Megjithatë, pas vitit 2014, Rusia rriti pozitën e saj globale dhe u shfaq përsëri si një fuqi e konsiderueshme ushtarake. Ndërkohë që Ukraina po kthehej drejt Perëndimit, Moska u bë gjithnjë e më e shqetësuar se interesat strategjike po kërcënoheshin.
Në vitin 2014, presidenti ukrainas që kishte marrëdhënie të mira me Rusinë, Viktor Janukoviç, hodhi poshtë lidhjet me Bashkimin Europian (BE) në favor të lidhjeve më të ngushta me Moskën. Kjo rezultoi në një seri protestash në të gjithë Ukrainën, që përfunduan me largimin e Janukoviç nga pushteti në të njëjtin vit. Rusia nga ana e saj u përgjigj duke aneksuar (aneksoj – bashkoj me dhunë një vend a një krahinë të pushtuar me një vend tjetër) Gadishullin e Krimesë të Ukrainës. Rusia mbështeti separatistët në provincat juglindore të Donetsk dhe Luhansk (separatistët – njerëz që duan të shkëputen nga një tërësi a bashkësi e organizuar politike, ekonomike etj).
Menjëherë pas aneksimit, Ukraina dukej se ishte në avantazh. Rusia u detyrua të dërgonte një pjesë të madhe të trupave të saj të rregullta në Donbas në Ukrainën lindore dhe pati shumë viktima në anën ukrainase, por në fund nuk arriti të pushtonte rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Ç’ndodhi më pas?
Për të arritur një kompromis, Ukraina dhe Rusia miratuan Marrëveshjet e Minskut në vitin 2015, të cilat përcaktuan se Rusia duhet të largojë të gjitha trupat dhe makineritë e saj nga Ukraina në këmbim që Kievi të pranojë të mbajë zgjedhje të posaçme në Donbas. Marrëveshjet e Minskut vendosën një armëpushim, por Rusia nuk i ka respektuar vendimet.
Në të kundërt, Rusia ka ndërhyrë kundër Ukrainës, duke përfshirë sulmet kibernetike, financimin dhe armatosjen e milicive të parregullta (organe të posaçme në shërbim të një regjimi) dhe përhapjen e keqinformimeve masive. Rusia gjithashtu vendosi një qeveri “kukull” në Donetsk dhe Luhansk, duke krijuar diktatura ushtarake në territoret e pushtuara, të cilat fillimisht drejtoheshin nga shtetas rusë.
Me kalimin e kohës, Kremlini filloi të ndryshojë narrativën e konfliktit, duke e inkuadruar atë si një luftë civile në Ukrainë, në të cilën Rusia ishte e përfshirë thjesht si ndërmjetëse. Ukrainasit e kanë kundërshtuar me vendosmëri këtë pretendim. Ukraina thekson se konflikti është midis Ukrainës dhe Rusisë dhe jo nacionalistëve dhe separatistëve (separatistët – njerëz që duan të shkëputen nga një tërësi a bashkësi e organizuar politike, ekonomike etj).
Arsyetimi i Rusisë për mbështetjen e të ashtuquajturve separatistë ukrainas përgënjeshtrohet nga pretendimi se rusët dhe ukrainasit janë një popull. Putini e ka përshkruar Ukrainën si “Rusinë e shenjtë”, vendlindjen dhe paraardhësin e shtetit rus. Në shkrimet e tij në vitet 2014 dhe 2021, Putin argumentoi se rusët dhe ukrainasit nuk ishin vetëm popuj vëllazërorë, por një popull i vetëm, i bashkuar, pjesë e të njëjtit qytetërim. Ky pretendim rrjedh nga fakti se në fund të shekullit të 18-të, Rusia përfshiu Krimenë dhe tokat e rajonit të Detit të Zi, të cilat së bashku u njohën si Novorossiya ose Rusia e Re.
Megjithatë, rusët dhe ukrainasit kanë jetuar të ndarë më gjatë se sa kanë jetuar së bashku dhe, në një sondazh, të kryer në vitin 2021, 70% e ukrainasve nuk ishin dakord me pretendimin “një popull”. Një raport nga Instituti Brookings argumenton më tej se Ukraina ishte një koloni e Rusisë, ashtu si India dhe Amerika dikur ishin të britanikëve. Fakti që shumë ukrainas flasin rusisht dhe pjesë të territorit ukrainas u përfshinë në Perandorinë Ruse është i parëndësishëm, i ngjashëm me çdo pretendim që britanikët mund të kenë mbi Amerikën për shkak të ngjashmërive të tyre të përbashkëta kulturore.
Që nga viti 2014, mbi 14,000 njerëz janë vrarë në Donbas dhe 1.4 milionë banorë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, ku 75,000 prej tyre që kanë ikur në Rusi.
Rusia ka grumbulluar deri në 130,000 trupa përgjatë pjesëve të ndryshme të kufirit, ku 30,000 trupa jane vendosur vetëm në Bjellorusi (afër Kievit). Kremlini po bën të gjitha përgatitjet për luftë. Bisedimet diplomatike midis Rusisë dhe Perëndimit deri më tani nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje. Putini ka lëshuar një sërë kërkesash për Ukrainën dhe NATO-n, duke filluar nga largimi i forcave të NATO-s në Europën Lindore, një garanci që Ukraina nuk do të lejohet të bashkohet me aleancën, dhënien e autonomisë për rajonin e Donbasit dhe njohjen e konfliktit në Ukrainë si një luftë civile. Këto kërkesa janë refuzuar ashpër nga të gjitha palët e përfshira.
Çfarë do të thotë pushtimi?
Një pushtim i plotë i Ukrainës do të ishte diçka që Europa nuk e ka parë në dekada. Rusia ka grumbulluar trupa përgjatë kufirit lindor të Ukrainës dhe më shqetësuese, ka vendosur 30,000 trupa në Bjellorusi nën maskën e stërvitjeve rutinë ushtarake. Nëse këto trupa do të përparonin, Putini mund të merrte Donbasin në lindje dhe të niste një sulm në Kiev në perëndim nga Bjellorusia. Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se një sulm i tillë do të rezultonte në një numër të vdekjeve civile mbi 50,000.
Në janar, parlamenti ukrainas shkroi një ligj për rezistencën kombëtare, sipas të cilit, njerëzit në të gjithë vendin do të trajnohen për t’i rezistuar agresionit rus. Pushtimi rus do të ndeshej me një kryengritjeje që ushtria ruse nuk ishte në gjendje ta nënshtronte.