Mediat ruse kontrollohen kryesisht nga shteti, gjë e cila shpjegon përse shumica e tyre po e prezantojnë pushtimin si një akt vetëmbrojtjeje me qëllimin e vetëm për të larguar ushtrinë ukrainase.
Shumica e kanaleve citojnë deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes që thekson se civilët nuk janë në rrezik pasi po përdoren vetëm armë të precizionit të lartë kundër objekteve të ushtrisë.
Kanali zyrtar shtetëror ‘Rossiya 1’ hapi lajmet me këtë deklaratë: “Sot Rusia ka nisur një operacion special ushtarak me synim mbrojtjen e njerëzve që në tetë vitet e fundit kanë qenë subjekt i abuzimeve dhe gjenocidit nga regjimi i Kievit”.
Ndërkohë, portale të tjera kanë pyetur qytetarët në rrugë në zonat e kontrolluara nga rebelët dhe separatistët pro-rusë në rajonet lindore të Ukrainës.
“Është një mrekulli. Nuk kam fjalë të tjera për ta përshkruar”, u shpreh një qytetar. “Jam shumë e lumtur. Kemi pritur tetë vite për këtë”, tha një qytetare tjetër.