Sulmet me raketa kundër sistemit të mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturës kritike ushtarake, bombardimet në vendndodhjet kryesore të trupave, si dhe një sulm në rrugë tokësore nga tre fronte: pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi pikërisht ashtu siç kishte parashikuar inteligjenca ushtarake perëndimore.
Pak orë pas betimit të Presidentit Vladimir Putin për të “de-nazifikuar” Ukrainën nëpërmjet një pushtimi të plotë të vendit, tanket dhe trupat ruse kaluan kufirin, duke rrezikuar të sjellin atë që mund të jetë konflikti më i madh në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mbrojtja e linjës së parë të Ukrainës u godit nga një breshëri raketash me precizion të lartë, pjesë e një sulmi që zyrtarët perëndimorë druhen se do të shkatërrojë Ukrainën lindore dhe do të sjellë pushtimin e Kievit brenda pak ditësh.
“Rusët kanë një supremaci të tillë, saqë duken si një buldozer që, me kalimin e kohës, mund të shkojë kudo. Aftësitë e tyre ushtarake i mundësojnë që të marrin territor pothuajse kur të duan,” tha një zyrtar i lartë i inteligjencës perëndimore. “Variabla kryesore është se sa mund të luftojnë ukrainasit dhe të përballojnë pushtimin nga Putin.”
Dymbëdhjetë orë pas pushtimit, ushtarët rusë me parashuta dhe helikopterët sulmues kishin hyrë brenda një rrezeje prej 25 km. nga qendra e Kievit, duke luftuar për kontrollin e një aeroporti në zonat periferike veri-perëndimore, pasi banorët e kryeqytetit u urdhëruan të futeshin në vendstrehimet e sulmeve ajrore.
Shpejtësia me të cilën u krye ky sulm rriti mundësinë që qeveria e Presidentit Volodymyr Zelensky të binte më shpejt se sa kishin menduar fillimisht aleatët e Ukrainës, megjithëse zyrtarët perëndimorë të mbrojtjes thanë se lufta urbane ka të ngjarë të vërë forcat ruse përballë një testi tjetër.
“Ata po përpiqen të hyjnë në Kiev. Por është e vështirë të thuhet se ҫfarë do të bëjnë në Kiev,” tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes. “Sipas vlerësimit tonë, ata kanë qëllim të rrëzojnë qeverinë aktuale dhe të instalojnë metodën e tyre të qeverisjes.”
Sulmi i shpejtë filloi në orën 5 të mëngjesit të së enjtes, me më shumë se 100 sulme me raketa me rreze të gjatë dhe precizion të lartë, që u lëshuan nga toka dhe nga anijet në Detin e Zi. U përdorën gjerësisht raketat Kh-31P që targetojnë radarët dhe infrastrukturën e komunikimit të armikut.
Rreth 75 bombardues sulmuan gjithashtu sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, infrastrukturën e komandës dhe të kontrollit, bazat ajrore dhe zonat me përqendrim të madh të trupave.
Kjo hapi rrugën për një sulm tokësor nga tre fronte, me dy objektiva kryesorë: një zhvendosje në jug duke përdorur trupa nga dislokimi prej 30,000 ushtarësh në Bjellorusi për të rrethuar Kievin, i koordinuar me një sulm më të madh duke përdorur trupa që lëviznin në veri nga Krimea dhe në perëndim nga Rusia, për të ndarë pjesën më të madhe të ushtrisë së Ukrainës e cila ishte dislokuar në lindje të vendit nga kryeqyteti.
Luftimet ishin më të ashpra në veri-lindje, me trupat ruse që e patën të vështirë të merrnin qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
Kryeqytetet perëndimore besojnë se Putini “dëshiron t’i zërë frymën, në vend që ta rrafshojë Kievin”, tha zyrtari i lartë i inteligjencës, por ekzistojnë shqetësime të mëdha lidhur me sa mund të jetë numri i të vdekurve, duke pasur parasysh qëllimin e deklaruar të presidentit rus për të “demilitarizuar” një vend që ka një ushtri prej 215 mijë trupash.
“Deri më tani, Kremlini është fokusuar në marrjen e pikave kryesore të infrastrukturës civile, për të marrë në kontroll funksionet luftarake të Ukrainës. Tani mund të vazhdojë duke marrë pikat kryesore të infrastrukturës njerëzore për të dobësuar rezistencën ukrainase,” tha Samuel Cranny-Evans, analist në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.
Ky vlerësim i rëndë i referohet njoftimeve të inteligjencës perëndimore, të cilat kanë paralajmëruar se Rusia ka një “listë vrasjesh” për ukrainasit që do të sulmohen ose ndalohen gjatë pushtimit.
“Pyetja kryesore është: cili është qëllimi përfundimtar i Rusisë? Veprimet e saj do të varen nga kjo,” tha Cranny-Evans. “Nëse ata thjesht shkojnë aty ku janë forcat ukrainase, kjo do të jetë në përputhje me deklaratat e përsëritura të Putinit për demilitarizimin e Ukrainës. Kjo do të pasohej me ndryshimin e regjimit. Nëse trupat ruse futen edhe në qytete, ku ka të ngjarë të mos ketë forca ukrainase, kjo tregon se ka një qëllim tjetër”./ Financial Times
Marrë nga Monitor.al