Muaji shkurt regjistroi në përgjithësi temperatura të larta dhe pati edhe shumë ditë të ngrohta. Metereologu Hakil Osmani në një lidhje me programin “Rudina” në Tv Klan, tha se pritet përmirësim i motit në ditët në vazhdim.
“Temperaturat e ajrit mëngjesin e parë të marsit kanë regjistruar në zonat malore edhe -4 gradë Celsius. Gjatë ditës së mërkurë pritet të kemi një zbritje të ndjeshme të tyre dhe në qytete do kemi edhe temperatura -5 gradë, që janë më të ulëta për muajin mars. Kemi përmirësim të lehtë që dita-ditës do të rriten dhe fundjava do sjellë deri në -2 gradë në zonat malore deri 15 gradë Celsius. Në 10 ditëshin e parë do kemi temperatura më të ulëta se vlerat normal”.
Osmani thotë se për sa u përket kushteve atmosferike, mbetemi në kthjellime. Pritet që në fundjavë të jenë në zona të izoluara në zonat malore. Në jug të territorit do jenë prezente reshjet e shiut.
Muaji mars do të ketë përmirësim të temperaturave në 15-ditëshin e parë të tij. Ditët e fundit do kenë temperatura më të larta se vlerat normale. Minimalet do jenë 1-2 gradë, ndërsa maksimalet deri në 18-19 gradë Celsius. Reshjet e shiut do jenë më prezente, ndërsa në zonat malore do rishfaqen flokët e dëborës. Në 10-ditëshin e dytë priten më pak reshje.
Osmani u ka bërë thirrje banorëve njerëzve që banojnë në zonat malore apo atje ku reshjet e shiut do të jenë më të dukshme, të kenë kujdes nga ngricat. Kukësi, Peshkopia, Korça dhe Erseka janë disa prej qyteteve që duhet të jenë më të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve.