Forcat ruse intensifikojnë ofensivën në qytetet e Ukrainës. Mbrëmjen e djeshme, kryebashkiaku i Khersonit njoftoi se qyteti ka rënë në duart e ushtrisë së Moskës. Duket se edhe qyteti i Mariupol do të ketë të njëjtin fat. Sipas nënkryetarit të kësaj bashkie, qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur në portin jugor të Mariupolit pas granatimeve të vazhdueshme, megjithatë nuk ka ende një shifër të saktë. Qyteti i dytë më i rëndësishëm i Ukrainës, Kharkiv është goditur nga bombardimet, teksa po ashtu Kievi vazhdon të jetë në shënjestër të raketave.
Sipas autoriteteve ukrainase, më shumë se dy mijë civilë u vranë në një javë lufte, teksa raportohet se një milion persona kanë lënë Ukrainën dhe janë zhvendosur në shtetet fqinje. Uji dhe ushqimi janë të pakta, por forcat e armatosura dhe popullsia vazhdojnë të rezistojnë, teksa Moska pranon se ka humbur 500 ushtarë gjatë luftimeve në Ukrainë.
Delegacionet e dy vendeve pritet të takohen sërish mëngjesin e sotëm për të diskutuar për një armëpushim të mundshëm sot, teksa Moska deklaroi një ditë më parë se në tavolinë do të jetë edhe armëpushimi. Një qëndrim i ri i ashpër kundër luftës së Vladimir Putin nga komuniteti ndërkombëtar ka ardhur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që u zhvillua dje, teksa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hapur një hetim mbi krimet e dyshuara të luftës të kryera nga rusët.