Një djalë i vogël vetëm 11 vjeç ka mbërritur në Sllovaki, pasi ka udhëtuar rreth 1200 km nga Ukraina lindore me dy çanta, një pasaportë dhe numrat e telefonit të të afërmve të tij.
Hassan, 11 vjeç, la shtëpinë e tij në Zaporizhia, sepse nëna e tij nuk mund të linte vetëm nënën e saj të moshuar, raporton “BBC”. Ai hipi i vetëm në një tren dhe kur arriti më në fund në kufi, u ndihmua nga doganierët. Zyrtarët thanë se ai ishte një hero i vërtetë dhe se kishte fituar zemrat e tyre me buzëqeshjen e tij.
Kur mbërriti në kufi, vogëlushi kishte një qese plastike, një çantë të vogël shpine të kuqe dhe pasaportën e tij. Ai u pranua nga vullnetarët, të cilët i dhanë ushqim e pije, ndërsa zyrtarët e kufirit ranë në kontakt me të afërmit e tij në kryeqytetin sllovak, Bratislavë.