Sali Berisha ka ftuar deputetët e PD-së të cilët kërkuan largimin e Lulzim Bashës, pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, ku PD humbi në 6 bashki dhe ‘Shtëpia e Lirisë’ doli forcë e dytë, që të bashkohen me elektoratin e tyre. Në një konferencë për gazetarët, Berisha, tha se çdo deputet ka të drejtën dhe detyrën e tij themelore të lexojë mesazhin e zgjedhësve dhe të marrë vendimet që i takon.
‘Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë së Lul Bravës dhe vlerësoj e përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD-së të cilët sapo konstatuan me fakte nga qëndrimi i elektoratit shqiptar se bravo opozita është në opozitë falso. Kërkuan vendime që Lul Brava nuk i merr kurrë. Unë i ftoj që të bashkohen me elektoratin e tyre dhe të kontribuojnë për PD-në. Unë mendoj se zgjedhjet e 6 marsit nxorën në dritën e diellit se Shtëpia e Lirës, ku PD ka rolin kryesor përbën opozitën e vërtetë shqiptare. 70% e popullit shqiptar votoi për Shtëpinë e Lirisë për PD e vërtetë. Ky ishte një nga produktet më të rëndësishme, rezultatet më të rëndësishme të 6 marsit, ku qytetarët i dhanë përgjigjen e merituar Edi Ramës. Ftoj çdo demokrat të lexojë mesazhin e datës 6 mars dhe të bashkohemi si opozitë e vërtetë.’- tha Berisha.