Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për më shumë sanksione kundrejt Rusisë. Duke folur gjatë konferencës së tij të përditshme, Zelensky tha se pushtimi i vazhdueshëm i Ukrainës dëshmon vetëm se “Rusia nuk i ka braktisur planet e saj ndaj Ukrainës,” – kështu që, shtoi ai, “na duhen urgjentisht paketa të reja sanksionesh”.
Zelensky bëri thirrje për një “bojkot të eksporteve ruse – dhe mbi të gjitha, një refuzim total të naftës ruse dhe nën-produkteve të saj”. Në vazhdim, ai tha se këto masa më të rënda “mund të etiketohen si embargo, ose thjesht si vendimi më i moralshëm” që duhet marrë. Sidoqoftë në një moment që bota gjendet përballë një krize për sa i përket çmimeve të larta të naftës, e cila kishte nisur që prej pandemisë dhe u thellua edhe më tej me pushtimin rus të Ukrainës – mundësia e marrjes së këtij vendimi nga ana e Perëndimit vjen me shumë dyshime.
Rusia është shteti i dytë në rang global për prodhimin dhe eksportin e naftës. Edhe pse SHBA nuk është drejtpërdrejtë e varur nga nafta ruse – e cila përfaqësoi vetëm 2% të importeve të saj në muajin dhjetor – fakti që Rusia është një eksportues kaq i madh në tregun global e bën atë një hallkë thelbësore në zinxhirin ekonomik botëror, i cili edhe pas ndërhyrjeve më të vogla, do të sillte pasoja marramendëse në të gjithë tregjet globale.
Aktualisht, çmimi i naftës ka kapur shifrat më të larta që prej vitit 2012. Ndërsa në Europë, çmimi i gazit natyror u rrit me plot 60% – duke kapur shifrën rekord prej €194 ose $215 dollarë për 1 megavat orë.
Resurset natyrore ruse nuk janë prekur ende nga sanksionet e Perëndimit pas vendimit të Kremiln për të pushtuar Ukrainën – por ky mbetet ende një opsion për SHBA dhe Europën duke bërë që investitorët të hezitojnë ta blejnë naftën ruse, si pasojë e pasigurisë aktuale e cila është e lidhur edhe me kufizimin e transaksioneve me sektorin bankar rus si dhe heqjen e Rusisë nga sistemi global SWIFT.