Para se të pushtonte Ukrainën mëngjesin e sotëm, Putin bëri deklaratën e habitshme se ky operacion ka si qëllim ‘de-nazistizimin’ e Ukrainës.
Ukraina në fakt, udhëhiqet nga një president hebre, i cili ka treguar se ka humbur të afërm gjatë Holokaustit dhe i cili udhëheq haptazi një qeveri demokratike të mbështetur nga fuqitë perëndimore. Sidoqoftë, Holokausti, Lufta e Dytë Botërore dhe Nazizmi kanë qenë disa nga armët propagandistike kyçe që ka përdorur Putin për të legjitimuar sulmin e tij kundër Ukrainës, edhe pse mediat perëndimore e kanë akuzuar atë për dezinformim dhe propagandë. Qeveria izraelite nuk është kundërpërgjigjur ndaj këtyre deklaratave duke u akuzuar se po përpiqet të ruaj marrëdhëniet diplomatike dhe ushtarake që mban prej kohësh me Kremlin.
Izraeli është i varur nga koordinimet e tij me Rusinë për të vazhduar bombardimet kundër grupeve armike në Siri. Shumë analistë hebrenj e kritikojnë Izraelin për qëndrimin e zbutur ndaj Moskës dhe përpjekjeve të Putin për të minimizuar krimet sovjetike kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por si po e përdor Putin Luftën e Dytë Botërore?
Lufta II Botërore, gjatë të cilës Bashkimi Sovjetik humbi rreth 27 milionë jetë, është një instrument i rëndësishëm i identitetit kombëtar rus.
Sipas analistes izraelite Tia Goldenber, shumë historianë mendojnë se ky instrument është përdorur nga Rusia për të ndryshuar shumë ‘të vërteta historike’ rreth Luftës së Dytë Botërore, siç janë përpjekjet e Rusisë për të zmadhuar rolin e sovjetikëve në rrëzimin e regjimit nazist si dhe përpjekjet e saj për të minimizuar ndikimin e Bashkimit Sovjetin në persekutimin e miliona hebrenjve.
Në vazhdim, Rusia e ka paralelizuar shpesh Ukrainën me Nazizmin, sidomos pas rrëzimit të qeverisë pro-ruse gjatë vitit 2014. Kjo histori i ka rrënjët që në vitin 1941, kur shumë nacionalistë ukrainas që e kundërshtonin regjimin komunist sovjetik, u bashkuan me kampin nazist duke e pritur okupimin e tyre krahëhapur. Ky është një moment historik që Putin e përdor shpesh si kartë për të mitizuar rolin e Rusisë në ‘’çlirimin e Ukrainës nga kthetrat naziste” – pasi ai i paralelizon grupet ukrainase me politika pro-perëndimore dhe anti-ruse të ditëve të sotme me grupet nacionaliste anti-sovjetike të vitit 1941.
Për ta përforcuar këtë edhe më tej, që prej trazirave të vitit 2014, shumë politikanë ukrainas pro-perëndimorë janë munduar të glorifikojnë luftëtarët nacionalistë të asaj periudhe, duke ngritur në piedestal rolin e tyre opozitar kundër Bashkimit Sovjetik, si një paralel ndaj asaj që po bëjnë sot politikanët pro-perëndimorë kundër grupeve pro-ruse.
Sidoqoftë, po këta nacionalistë ukrainas njihen për bashkëpunimin e tyre me nazistët në atë kohë, të cilët janë dokumentuar të kenë ndërmarrë krime të shumta kundër hebrenjve dhe polakëve në Ukrainë – një pikë ku Putin kapet, për të vazhduar pretendimet e tij se Kremlin po kërkon të çlirojë Ukrainën nga “kthetrat e grupeve naziste”.