Sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj revoltës qytetare kundrejt rritjes abuzuese të çmimeve sa vinë e shtohen. Këtë të enjte, kryeqeveritari i ka cilësuar sërish si “të turpshme” protestat e zhvilluara ditët e fundit në disa qytete të vendit. Madje kësaj radhe, Rama ka dhënë një arsye të pazakontë se përse nuk duhet të protestohet. Kreu i qeverisë tha se këto protesta i pëlqejnë vetëm Rusisë, si pjesë e strategjisë së saj të luftës.Sipas Ramës qëllimi ka qenë që vendet që mbështesin Ukrainën të ngrihen në protesta për çështje ekonomike në mënyrë që të harrohet se çfarë po bëhet në Ukrainë, ku sipas tij është në lojë fati i Evropës.
“Ka qenë pjesë e skenarit të luftës nga ana e Rusisë për të turbulluar krizën e energjisë, por kriza ka filluar më herët. Në fillim te vitit të kaluar kemi kaluar deri në 550 euro për kilovatë në orë. Në pak ditë që ka filluar lufta ka pasur një shok në çmime. Po ça do bëjmë ne sikur kjo gjë të vazhdojë me muaj e vite, do dalim të hamë njëri tjetrin në rrugë?
Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë. Po mund t’i pëlqejë, sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë së asaj në lufte. Që vendet që mbështesin Ukrainën të ngrihen në protesta ekonomike, që të harrojnë çfarë luhet atje, atje nuk luhet fati i Ukrainës po i të gjithë e Evropës, luhet fati i Evropës. Nuk ka bërë vaki ai agresion që kur në skenat e evropës doli dikush tjetër në Berlin dhe sulmoi të gjithë dynjanë. Si mund të jemi ne kaq pa karakter”, tha Rama.
Rama po ashtu shtoi se ai ka ditur që të reflektojë në raste të mëparshme protestash, por se kjo e sotmja sipas tij është e sponsorizuar nga partitë politike.