UKRAINË– Anna Tymchenko ka sjell në jetë foshnjen e saj në Ukrainë, në një kohë kur vendi po bombardohej nga forcat ruse. Bashkë me burrin e saj, Anna mbeti e bllokuar për disa ditë pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo mjek. Qyteti i vogël Bucha, 30 km larg nga kryeqyteti Kiev, ishte nën bombardime të pamëshirshme që nga fillimi i luftës.
21-vjeçarja së bashku me bashkëshortin dhe vëllanë e saj, ishin strehuar më parë në bodrumin e pallatit të tyre. Por kur u ndërpre energjia elektrike dhe ngrohja pushoi së punuari, bodrumi u zhyt në errësirë dhe ishte shumë ftohtë. Burri i Anës, Volodymyr, ishte i shqetësuar në dilemën mes qëndrimit në Bucha ose përpjekjes për të ikur. Kur më në fund u përpoqën të arratiseshin me makinë, u desh të ktheheshin kur dëgjuan se një kolonë automjetesh ushtarake ruse po shkonte drejt tyre.
“Më pas vendosëm të qëndronim në apartament”, tha Anna për BBC. “Preferova të lindja në shtëpi dhe jo në një bodrum me pluhur, kisha vështirësi në frymëmarrje, më dhembnin mushkëritë”.
Kur ajo filloi lindjen vonë më 7 mars, ajo thirri fqinjët e saj për ndihmë. Ata pranuan të vinin, por asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë në lindjen e foshnjave. Viktoria Zabrodskaya, fqinja 49-vjeçare e Anës, i tha BBC-së se ishin të shqetësuar se nëse diçka shkontekeq, ata nuk do të dinin se çfarë të bënin.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të lindja në kushte të tilla”, thotë Anna. “Ishte surreale. Ishte fëmija im i parë dhe nuk dija asgjë.”
Fqinjët e Anës do të duhej ta lindin fëmijën vetë. Vetëm njëra prej tyre kishte pak dijenie mjekësore.
“Kur doli koka e foshnjës, ne u trembëm”, thotë Viktoria. “Ajo ishte blu dhe nuk dinim çfarë të bënim. Pastaj Irina ktheu butësisht kokën e foshnjës dhe ajo doli jashtë. Nuk qau në fillim – ne filluam ta godisnim lehtë dhe kur qau, të gjithë ne brohoritëm.”