Me ritme të pandalshme çmimet e ushqimeve të shportës po rriten duke prekur direkt qytetarët. I moshuari, Sarafin Lleshi bën ecejake mes tezgave në një nga tregjet agro-ushqimore ku ngjitur me produktet, çmimet nuk i ngjajnë të djeshmes.
“Janë rrit sa nuk kena lekë me i marr. Smund ti plotësojmë kushtet për asnjë gjë, vetëm sa dalim kot. Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje, që të mos na lejë me vdek për bukë. Ne skena lekë për bukë, me një pension prej 5000 lekësh që kam unë sna del as për bukë, të rrisë pensionet. Mirë që kam fëmijët jashtë shtetit, se për mua është e pamundur që tia dal”, kështu e fillon rrëfimin për “Sinjalizo”, 80 vjeçari.
Pensionisti është në gjendje të numërojë një më një, secilin nga produktet duke nisur nga më kryesoret si buka, mielli, vaji, orizi, sheqeri etj.
“Buka është shtrenjtuar me 20 lekë vetëm sot, të gjitha perimet janë ngritur, domatja është shtrenjtuar 20 lekë më shumë, patatja 20 lekë më shumë, kastraveci 10 lek më shumë, spinaqi 20 lekë më shumë, mollët 30 lekë më shumë. Ushqimoret janë ngritur. Vaji, mielli, orizi, sheqeri”, kujton pensionisti që çapitet duke shpresuar se diku do ti gjejë pak më lirë. Por për shkak se çmimet e ushqimeve janë rritur, Sarafin Lleshi është i detyruar të kthehet duarbosh në shtëpi, i bindur se mbase zbret ndonjë çmim.
Hasan Stafa, që drejton zyrën e Mbrojtjes së Konsumatorit përsërit se “çmenduria” e çmimeve nisi prej datës 22 shkurt duke kërcyer me vlefta deri në 25%.
“Rritja nisi dy ditë para se fillojë pushtimi i Ukrainës. Mielli për bukë masive në pikat e shumicës me 1 mars u shit me 7600-8000-10000 lekë kuintali, ndërsa me 8 mars, 1 kuintal shitet 8000-8400-10000 lekë kuintali. Çmimi i bukës nga data 1 mars deri 8 mars është rritur me 10-20 lekë për 1 bukë 720-800 gram. Vaji ushqimor është rritur me 20% nga 210 lek që ishte më 1 mars ka arritur në 250-280-310 për 1 litër. Orizi është rritur me 25% brenda 1 javë. Qumështi e veza janë rritur me 10%. Frutat, perimet janë rritur 5-10%. Çmimet me rritje më të lartë janë në qarkun Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Dibër”, shprehet Stafa për “Sinjalizo”.
Duke u përpjekur të kuptojë se çfarë ndodhi me shportën e ushqimeve, drejtoresha e qendrës “Konsumatori Shqiptar”, Ersida Teliti ka një alibi tjetër mbi një krizë që sipas saj ka nisur më herët.
“Rritja e çmimeve të shportës ka nisur më herët, përpara se të fillonte në fakt konflikti Ukrainë-Rusi, por që pati impaktin kryesor në momentin që filloj kjo luftë. Çmimet janë rritur që më herët, kujtojmë këtu rritjen e çmimit të bukës në periudhën e verës, gusht-shtator ku ne iu drejtuam nëpërmjet një shkresë pikërisht autoritetit të konkurrencës. Rritja e çmimeve të hidrokarbureve do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e të gjithë çmimeve përfshirë edhe çmimet e shportës, meqenëse se do të ketë nëpërmjet mjeteve të transportit dhe kostot me të mëdha do ti mbajnë qytetarët”, thotë Teliti për “Sinjalizo”.
Çmimet në qiell, askush nuk ndërhyn
Rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të kategorive të tjera e tregon edhe raporti i fundit i publikuar nga Instituti i Statistikave në raportin e indeksit mujor për çmimet e konsumit.
“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,4 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10,1 %, “fruta” me 7,0 %, “bukë dhe drithra” me 6,8 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6,7 %, “mish” me 3,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,3 %, etj”, theksohet në raport.
U prekën të gjithë, por në veçanti shtresat në nevojë
Sipas drejtoreshës së qendrës “Konsumatori Shqiptar”, si shtresat më të prekura nga rritja e çmimeve vlerësohen jo vetëm qytetarët në nevojë.
“Kështu që shtresat e ashtuquajtura në nevojë, duke përfshirë klient që jo vetëm nga ata që marrin ndihmë ekonomike, jo vetëm personat që nuk kanë asnjë të ardhur, jo vetëm komunitetet e margjinalizuara, por edhe gratë familjare apo persona që janë me pensione minimaliste nën pagën mesatare, të cilët do të ndikohet drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve në çdo aspekt të jetës. Në këto do të ndikohen pothuajse edhe pjesa më e madhe e shtresë së mesme, sepse praktikisht në buxhetin e tyre familjar në fund të muajit do të ketë më shumë shpenzime sesa të ardhura”, thotë Teliti.
Po ashtu ekspertja cilëson abuzive edhe arsyet se përse ndodhi ky trend.
“Justifikimi që rritja e çmimeve është duke u ndikuar nga lufta është deri diku jo i saktë ose abuziv në kushtet kur duhet të kemi një rritje çmimi që do të ndikohet pak më vonë, pasi e diskutuar nga tregtarët dhe bizneset e shumta në depot e tyre apo në magazinat e tyre ka ende produkte që janë blerë përpara fillimit të luftës. Që do të thotë, janë blerë me një kosto më të ulët dhe rritja shpesh herë është e pajustifikuar. Përgjithësisht në kuadrin e teorisë ekonomike që të kemi një rritje çmimesh duhet të kemi një ofrim shërbimesh, duhet të kemi cilësi më të madhe apo edhe shumëllojshmëri në shërbime, si edhe rritja e çmimeve në kushte të tilla emergjente ndodh në ato raste kur vërtetë ndikojnë drejtpërdrejt nga këto situata, forca madhore sikurse është lufta”, thotë drejtoresha Teliti.
Edhe sipas ekspertit të ekonomisë, Klodian Muço, arsyeja se përse shtresat në nevojë dhe ato të mesme do e ndiejnë më shumë lidhet me shpenzimet që zënë përqindjen më të lartë të të ardhurave.
“Shqiptarët po i vuajnë rritjet e çmimeve të shportës, sepse gati 40% e buxhetit të një familjeje mesatare tipike shqiptare, shkon për të mira ushqimore, domethënë për produkte ushqimore dhe për pije joalkoolike, pra ka një peshë të madhe. Ndërsa një familje mesatare në Bashkimin Evropian kjo është vetëm 18%, kështu që për qytetarët shqiptarë është një barrë shumë e rëndë dhe sa më shumë po rriten këto çmime aq më shumë po rritet niveli i varfërisë në Shqipëri”, thekson për “Sinjalizo”, Muço.
Sakaq ish-ministri i financave, Arben Malaj, shton se përveç rritjes së çmimeve, shkak për rritjen e varfërisë është edhe inflacioni i lartë.
“Inflacioni i lartë ndikon në rritjen e varfërisë. Duhet të mbajmë parasysh se inflacioni është një tatim që godet më shumë ata që kanë të ardhura më të ulëta. Ky tatim vepron automatikisht, pa një akt ligjor, por direkt nëpërmjet rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Sipas studimeve të Bankës Botërore, në rastin tonë bazuar në strukturën e buxhetit të familjeve, shtresat e varfëra dhe ato pranë kufirit kritik të varfërisë janë në nivele të larta. I lartë është risku që çmimet e larta në efektin e tyre zinxhir do të godasin më shumë individë dhe familje që kanë nevojë për mbështetje sociale”, argumenton ish-ministri Malaj.
Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë konstaton se inflacioni për muajin shkurt 2022 arriti në 3.9%, ndërsa një vit më parë ishte vetëm 1.1%.
Përse nuk mbikëqyret spekulimi me çmimet?
Sipas Znj. Teliti, autoriteti kryesor që duhet të bëjë monitorimin e konkurrencës është Autoriteti i Konkurrencës. Ekspertja tregon se organizata që ajo drejton ka reaguar duke u ankuar për rritjen e çmimit të shportës.
“Në lidhje me çmimet kemi diskutuar me institucionet kryesore, këtu mund të përmendim rregullisht ankesat drejtuar Autoritetit të Konkurrencës, e cila e fundit është dërguar me datën 5 mars, por edhe ankesa të tjera që u jemi drejtuar institucioneve të tjera. Qasja është kush është institucioni përgjegjës dhe kujt i faturohet kjo gjë, pra duhet të kemi një ndërthurje nëpërmjet këtij institucioni, nëpërmjet Ministrisë së Financave, edhe ndërkohësisht ndërmjet hetimit tatimor dhe tatimeve, në rastin kur konstatohet se këto abuzojnë me çmimet dhe këto çmime nuk i deklarojnë. Në të gjitha rastet e tjera institucionet e kanë shumë të vështirë, referuar kompetencave që të ndërhyjnë. Aktualisht reagimi më i mirë duhet të jetë nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili duhet të bëjë një hetim pasi vërtetë, fokusi dhe funksioni kyesor është mbrojtja e një konkurrence të lirë dhe të ndershme dhe të drejtë. Në fund pikërisht një konkurrencë e lirë dhe e drejtë në kushtet kur nuk kemi monopol apo situatë oligopoli apo nuk abuzohet me pozitën dominuese në treg, në fund fare duhet të mbrohet pikërisht konsumatori, ku çmimi të jetë vërtet i vendosur sipas rregullave mbi bazën e kërkesë-ofertës, kështu që ne shpresojmë që këto institucione apo edhe institucione të tjera të përfshira në proçese direkte apo indirekte të mund të veprojnë”, tregon Teliti.
Por i pyetur nga “Sinjalizo”, Kryetari i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës distancohet nga kompetencat.
“Ne jemi gardianë të konkurrencës mes bizneseve. Nuk jemi as rregullatorë çmimesh, as kontrollor cilësie ushqimesh e as qeveria. Nuk ka asnjë mundësi ligjore që Autoriteti i Konkurrencës të hapë hetim për çmimet e produkteve të shportës. Me këto merret qeveria, jo ne si institucion i pavarur, me fokus unik konkurrencën”, u shpreh në një reagim për “Sinjalizo”, Denar Biba.
Edhe pse kryetari Biba i mëshonte fort faktit se nuk është kompetencë e Autoritetit të Konkurrencës, të premten 11 Marsit, ky institucion njoftoj se ka nisur monitorimin e subjekteve që operojnë në tregun e produkteve të shportës.
“Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të nenit 28 të Ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, nxitur edhe nga informacionet e shqetësimet e marra nga media për rritjen e menjëhershme të çmimeve për produktet e shportës, nëpërmjet Urdhrit nr.190, datë 11.03.2022, dhe Urdhërit nr.192, datë 11.03.2022, ka vendosur menjëherë nën monitorim subjektet të cilat operojnë në tregun e produkteve vaj vegjetal, miell, vezë, oriz dhe sheqer”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Ironik është fakti se ky autoritet kujtohet pas pothuajse 3 javësh për të vendosur nën monitorim subjektet që kanë bërë rritjen e çmimeve të produkteve të shportës.
Po ashtu “Sinjalizo” u interesua edhe pranë Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, një institucion në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që merret me mbrojtjen e konsumatorëve.
“Tek Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit nuk ka ankesa mbi çmimet e ushqimeve të shportës nga konsumatorët. Nëse pranë KMK-së do të ishte paraqitur një ankesë nga konsumatorët do ia delegonim ministrisë përkatëse”, shprehet për “Sinjalizo”, Klotilda Neziri, zyrtare e lartë e këtij Komisioni.
Sakaq “Sinjalizo”, kërkoi edhe një reagim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në lidhje me rritjen e çmimit të produkteve të shportës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori asnjë përgjigje.
Por çfarë mund të bëhet për të parandaluar rritje të mëvonshme të çmimeve?
Eksperti për ekonominë, Klodian Muço sugjeron ngritjen e një task-force për monitorimin e proçesit të ecurisë së çmimeve dhe se një vendim që mund të bënte qeveria për tiu ardhur në ndihmë qytetarëve është për momentin pezullimi i disa investimeve strategjike.
“Aspekti i parë që do të sugjeroja është të ngrihej një task-forcë apo një grup pune që të merret pikërisht me proçesin e monitorimit të ecurisë së çmimeve në treg, e ka bërë Maqedonia e Veriut, një vend i rajonit. Praktikisht çfarë duhet të bëjë ky grup pune, do të shikojë, supozojmë që kompania x ka blerë grurë dhe këtë grurin marr shembull e shet me 120 lekë/kg, do monitorohet sa e ka blerë këtë grurë, me çfarë çmimi është zhdoganuar, supozojmë me 90 lekë/kg dhe sa duhet të ishte marzhi i fitimit 4-6%, sa është marzhi i fitimit? 20%, këtu ka një abuzim nga ana e tregtarit, apo që tregtari ka ndryshuar çmimin edhe pse nuk ka blerë mall shtesë, kjo mund të ishte një zgjidhje. Kur votohet një qeveri e caktuar, votohet që ti paraprijë krizave, apo që të marrë masa sa herë që të jetë e nevojshme, jo që gjithmonë në momentin e krizave, të themi skemi çfarë bëjmë. Edhe pse le të themi që financat publike nuk janë shumë të shëndosha në Shqipëri, apo që nuk janë në gjendje optimale, përsëri ka masa që mund të merren, siç po bën Greqia, Serbia, Kosova e cila jo më larg sesa dje, rriti në mënyrë të ndjeshme subvencionet për mbjelljen e drithërave, dha 50 milionë euro fond ekstra pikërisht për mbjelljen e drithërave”, e mbyll për “Sinjalizo”, eksperti Muço.
Edhe për ish-ministrin Malaj, pasojat e ndikimit të krizës mund të zbuteshin me një sërë masash.
“Këto pasoja mund të zbuten me një set politikash dhe masash të integruara. Sistemi i mbrojtjes sociale duhet të jetë sa më efektiv dhe i fokusuar. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financës dhe të Mbrojtjes sociale në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare, mund të identifikojnë opsionet optimale. Ngritja e komitetit ndërqeveritar mund të harmonizojë bashkëpunimin për politikat dhe masat që rritin efektivitetin e politikave dhe masave zbutëse përkatëse.
Autoritetet rregullatore dhe mbikqyrëse, duhet të ndjekin nga afër riskun për përfitime abuzive. Ulja e çmimeve kërkon lehtësimin e ofertës, kjo kushtëzohet nga rezervat strategjike dhe diversifikimi i burimeve të blerjeve. Zbutjet e para duhet të vinin nga injektimi në treg i rezervave strategjike për tu mbrojtur nga luhatjet e larta afatshkutra që cënojnë rritjen ekonomike. Diversifikimi i burimeve alternative të energjisë dhe i partnerëve potencial, reduktimi i niveleve të larta të defiçiteve tregtare – do të jenë në qendër të një strategjie afatmesme”, e mbyll ish-ministri Malaj.
Qeveria indiferente
Në daljen e tij të fundit mediatike përpara së të nisej për në Dubai, Kryeministri Edi Rama nuk e përmendi farë pjesën e rritjes së çmimeve të produkteve të shportës, ndërsa u shpreh se do të krijohej një task-forcë qeveritare për menaxhimin e krizës që vjen si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në Facebook, i propozonte qeverisë uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës nga 20% në 6%.
Por sipas të dy ekspertëve të ekonomisë, kjo ulje nuk është e provuar se mund të ketë ndikim në rritjen e çmimeve, madje mund të sjellë edhe pasoja në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al