TIRANË– Çmimi i naftës në Shqipëri është ulur sërish. Bordi kombëtar i administrimit të karburanteve ka vendosur që nga dita e sotme, 16 mars deri më datë 21 mars, nafta të shitet me 203 lekë për litër. Vendimi i marrë është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook.
Tarifa e re e ul sërish çmimin e naftës me 8 lekë për litër, nga 211 lekë që kushtonte një ditë më parë. Nafta pësoi një rritje rekord në çmim dhe shkoi deri në 290 lekë për litër pasi nisi lufta në Ukrainë nga Rusia. Protestat masive e të vazhdueshme në Shqipëri bënë që qeveria të ndërmerrte vendimin për të ngritur një bord administrimi. Ky i fundit e ka ulur çmimin e naftës gradualisht, ditë pas dite.