SHBA- Reperi Kanye West u pezullua nga Instagram për 24 orë. Ai u pezullua përkohësisht nga Instagrami pasi ai sulmoi ish-gruan e tij, yllin Kim Kardashian, dhe të dashurin e saj komedianin Pete Davidson në internet. Sipas Daily Mail, një zëdhënës i Metës, kompanisë që zotëron platformën e mediave sociale, tha se postimet e reperit shkelnin politikat e tyre për gjuhën e urrejtjes, ngacmimin dhe bullizmin.
Reperi gjithashtu ka vënë në shënjestër drejtuesin e talk show-t, Trevor Noah, i cili tha se sherri në internet mes ish-çiftit mund të bëhej i dhunshëm dhe ishte i tmerrshëm për t’u pare. Llogaria e West do të pezullohet për 24 orë, që do të thotë se ai nuk mund të postojë përmbajtje, të komentojë postime ose të dërgojë mesazhe direkte.
Reperi u pa i buzëqeshur dhe në dukje i gëzuar të mërkurën mbrëma teksa ndoqi një ndeshje mes Golden State Warriors dhe Boston Celtics në San Fransisco me Saint-in gjashtëvjeçar. Reperi aktualisht është në një betejë për kujdestarinë me ish-gruan e tij. Të martën, u raportua se avokati i West po kërkon të vendosë marrëveshje formale për kujdestarinë midis Kanye dhe Kim-it.
Që tani, Kardashian po e lejon West që të kalojë kohë me fëmijët sa herë që është në qytet dhe dëshiron, për sa kohë që ata nuk janë tashmë të zënë.