Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Dita e paqes, dashurisë dhe e begatisë për njerëzimin e ka quajtur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj “Sulltan Novruzin”, duke dërguar dhe një mesazh urimi për të gjithë besimtarët bektashinj një ditë para festës.
Për Kryegjyshin Botëror festa e ”Sulltan Novruzi”, është një ditë me rëndësi pasi përkon me ditëlindjen e Imam Aliut, dhe shënjon ditën e re të fisnikërisë dhe ringjalljes së natyrës në besimin bektashian.
“Mesazhi im për këtë ditë të shenjtë është që të gjithë njerëzit t’i drejtohen Zotit, për dashuri, paqe, mirësinë dhe begatinë. T’i luten Zotit që të pushojë kjo luftë dhe këtë pandemi t’a largojë nga njerëzimi për të gjithë botën”, tha Baba Mondi.