Një gjykatë në Moskë e ka konsideruar si ekstremist aktivitetin e Instagram dhe Facebook, duke i ndaluar që të operojnë në Rusi. “Miratojmë kërkesën e prokurorisë për ndalimin e aktiviteteve të Meta-s”, tha gjyqtarja Olga Solopova, sipas agjencisë së lajmeve Tass. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha se në rrjetet sociale janë postuar “materiale ekstremiste”, duke cituar thirrje për dhunë kundër qytetarëve rusë, sipas kësaj zyre.
Aksesi në Facebook dhe Instagram ishte kufizuar në Rusi, pasi, sipas Moskës, këto platforma po përhapnin lajme të rreme mbi pushtimin e Ukrainës.
Meta pati njoftuar se do të lejonte përdorues në shtete të caktuara që të bënin thirrje kundër Vladimir Putin dhe ushtarëve rusë, duke lejuar përkohësisht edhe fraza të tipit “vdekje pushtuesve rusë”, thirrje të cilat shkelin rregulloren e Facebook dhe Instagram. Gjykata bëri me dije se vendimi i saj nuk prek shërbimin e mesazheve WhatsApp, që gjithashtu zotërohet nga Meta.