TIRANË– Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka denoncuar Kuvendin, se nuk iu ka vënë ende në dispozicion anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkesën e SPAK për ti hequr mandatin Alqi Bllakos. Me anë të një postimi, pak orë para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Salianji tha se materialet nuk iu janë vënë në dispozcion. Ai thotë se askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK.
POSTIMI I SALIANJIT:
Dje, rreth orës 18:35, në postën elektronike të anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka mbërritur një email nga sekretaria e Kuvendit, ku njoftohen për mbledhjen e ditës së nesërme në orën 18:00 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Në email thuhet se dokumentacioni shoqërues i kërkesës është gati dhe mund të tërhiqet pranë sekretarisë ditën e nesërme. Por, e vërteta është se as ditën e nesërme në mëngjes dhe deri më tani, kur na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK. Por, ajo që ne dimë me siguri është se sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall, dhe mbi të gjitha se ajo që po bëjnë është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!