UKRAINË- Forcat ruse bombarduan sot qytetin strategjik të Odesës në jug të Ukrainës, duke shkatërruar një qendër të përpunimit të naftës dhe depot e karburantit. Ndërkohë në Zaporizhia vazhdojnë përpjekjet për evakuimin e banorëve nga zonat që po sulmohen nga forcat ruse.
Banorët e Odesës u zgjuan të dielën nga zhurma e shpërthimeve të forta dhe tymi i zi që mbuloi qiellin e qytetit të njohur si perla e Detit të Zi.
“Isha në shtëpi dhe ishte e frikshme sepse muret po dridheshin. Dola jashtë dhe dëgjova një shpërthim që ndodhi afër shtëpisë sime. Cisterna e një ferme ishte duke u djegur”, tha Oleg Ragotienko i cili së bashku me një grup fqinjësh panë strukturën që po digjej.
Ushtria ruse tha se goditi një qendër të përpunimit të naftës dhe depot e karburantit rreth qytetit port strategjik. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjenerali Igor Konashenkov tha se anijet dhe avionët rusë qëlluan me raketa të dielën drejt objekteve që tha se përdoreshin për të siguruar karburant për trupat ukrainase pranë qytetit të Mykolaivit.
Vladislav Nazarov, përfaqësues i Komandës Operative në jug të Ukrainës tha në një video-deklaratë se “Armiku vazhdoi praktikën e tij të ndyrë të shkatërrimit të infrastrukturës kritike”.
Odesa është porti më i madh i Ukrainës, ku ndodhet selia e forcave të saj detare. Qendra tregtare në qytetin ukrainas të Zaporizhës është bërë një stacion për rreth 60 mijë njerëz që po përpiqen të largohen në drejtim të pjesës juglindore të Ukrainës.
Shumica kanë kaluar ditë në përpjekjet për të arritur në Zaporizhia, ndalesa e tyre e parë në territorin e kontrolluar nga forcat ukrainase. Për shumë njerëz, mbërritja aty është dërrmuese, pasi kanë kaluar javë nën rrënoja në qytetet e tyre. Disa rrëfyen tmerret që kishin përjetuar. Peycheva Olena, e cila u largua nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, tha se ajo u detyrua të linte burrin e saj, të vrarë, të pavarrosur.
“Kishte bombardime dhe ne u përpoqëm ta tërhiqnim zvarrë, por ishte shumë e vështirë, nuk ia dolëm”, shpjegoi vajza e saj, Kristina Katrikova.
Gjendja mbetet e rëndë në qytetin port strategjik dhe mundësitë për evakuuim janë të vakta. Drejtuesit e qytetit të rrethuar, i cili është goditur fort nga disa nga sulmet më të rënda të luftës, njoftoi javë më parë se uji, ushqimi, karburanti dhe ilaçet po mbaronin.
Rreth 100,000 njerëz besohet se janë ende atje, më pak se një e katërta e popullsisë së qytetit që para luftës kishte rreth 430,000 banorë. Shumica e atyre që arritën në Zaporizhia, u larguan vetë me makinat e tyre, duke rrezikuar jetën. Të tjerët u transportuan nga vullnetarë si Maria Tsimerman, e cila thotë se të shkojë përsëri me makinë në Mariupol për të evakuuar të sëmurët dhe të plagosurit.
“Unë vendosa të ndihmoj të tjerët kur isha në një qendër strehimi. Së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët tanë vendosëm të ndihmonim njerëzit e tjerë”, thotë ajo.
Edhe qeveria lokale në Zaporizhia po ndihmon njerëzit në nevojë. Ajo ka dërguar autobusë për të evakuuar 2000 njerëz nga qyteti i Beryanskit, i pushtuar nga Rusia, por përpjekjet për të organizuar autokolona në shkallë të gjerë kanë dështuar për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen e sigurisë.
Marrë nga VOA