Ish ministri Lefter Koka do të mbetet në burg! Gjykata e Lartë i ka refuzuar rekursin për tu liruar nga masa e sigurimit ‘arrest me burg’ pas akuzave për aferën 3.7 milionë euro për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ai u la në burg nga apeli i GJKKO më 25 shkurt.
SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion duke përfituar 3.7 mln euro nga incerenatorët.
Tre janë akuzat e rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Kujtojmë se hetuesit kanë arritur të faktojnë nga provat e deritanishme, se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në një vlerë prej 1.2 milionë euro, pra në total sipas SPAK, rreth 5 milionë euro nga të 2 inceneratorët.
“Me të njëjtën skemë si në Elbasan, Lefter Koka ka përfituar nga shoqëritë “Integrated Technology Uaste Treatment Energy” dhe “Integrated Technology Services”, 1.2 milionë euro, përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Kjo pagesë, iu dha Kokës si shpërblim për favorizimin që i bëri 2 kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit, ka njoftuar SPAK.
Për çështjen e inceneratorëve është në burg edhe ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.