Italia ka mbetur jashtë Botërorit pasi u eliminua në play-off nga Maqedonia e Veriut. Por tifozët italianë vazhdojnë të shpresojnë te ndonjë mrekulli, si përjashtimi i ndonjë skuadre tjetër që t’i bëhet vend të kaltërve.
Ndaj edhe në një konferencë për shtyp të mbajtur sot nga presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino në Firence ku ishte i pranishëm për një aktivitet, nuk ka munguar pyetja për këtë temë. Duket qartësisht që ai nuk e mendon se është e mundur një gjë e tillë. “Të tregohemi seriozë, ju lutem”, ishin fjalët e Infantinos, duke lënë të kuptohet që nuk ekziston një mundësi e tillë për italianët.
“Si italian është një trishtim i pabesueshëm, më vjen të qaj që Italia nuk do të jetë në Botërorin e e radhës. Por jo vetëm mua, të gjithë tifozëve të futbollit”, vijoi ai. ”Duhet punuar për të ardhmen dhe të bëjmë diçka në mënyrë efektive për numrin e lojtarëve që dalin nga akademitë dhe bëhen pjesë e skuadrave, jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën”, ishte zgjidhja e tij për ringjalljen e ekipeve kombëtare të traditës që kanë humbur rrugës.