Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit me akuzën e mashtrimit me anën të platformave elektronike. Blutë bëjnë me dije se pas operacioneve të marra në rrugë operative u arrestua 30-vjeçari M.M., banues në Tiranë.
“Arrestimi i 30 vjeçarit u bë pasi nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryente mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center”, informon policia.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.