Një 28-vjeçar me iniciale G.B. është arrestuar nga policia ndërsa është vënë nën hetim bashkëpunëtori i tij 32-vjeçar për shkak se kishin strehuar 18 emigrantë të paligjshëm në disa banesa të braktisura në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor “COMPASS”, si rezultat i të cilit u ndalua shtetasi G. B., 28 vjeç, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi V. A., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Në datë 05.04.2022, në vendin e quajtur “Teqja”, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në ambientet e disa banesave të braktisura, janë gjetur 18 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se emigrantët e paligjshëm ishin strehuar nga shtetasit G. B. dhe V. A., me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i monedhave”.